Leximet e ditës
JAVA E XXVII GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Est 4, 17
Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd. Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën, të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore. Ti je Zotëruesi i të gjithave.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona: ki mëshirë për ne, na fal çka ndërgjegjja jonë na padit, e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Gal 1, 13-24) (fq. 1640)
Hyji e zbuloi në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, 13 keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe u mundoja ta shkretoj atë 14 e, prejse tepër i dhënë mbas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim.
15 Porse, kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu 16 ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë ‑ unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri 17 e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask.
18 E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t'u njoftuar me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë. 19 Të tjerë prej apostujsh, përveç Jakobit, të vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë. 20 Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju gënjej.
21 Pastaj kalova në krahinat e Sirisë e të Cilicisë. 22 Personalisht isha i panjohur Kishave të Krishtit në Jude. 23 Ato vetëm kishin dëgjuar: "Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte, "24 dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim.
Fjala e Zotit
Psalmi 139 (138), 1b-3.13-14ab.14c-15 (fq. 819)
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e përjetësisë.
1 O Zot, ti më shqyrton e më njeh,
2 ti di kur rri e kur ngritem,
prej së largu i njeh mendimet e mia.
3 Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e përjetësisë.
13 Ti je ai që m'i krijove veshkat,
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
14 Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht,
të mrekullueshme janë veprat e tua.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e përjetësisë.
14 Të mrekullueshme janë veprat e tua,
po, shpirti im mirë e di!
15 Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur
kur unë po trajtohesha në fshehtësi
i endur në thellësinë e tokës.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e përjetësisë.
Aleluja!
Të lumtë ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri. (krh. Lk 11, 28)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 10, 38-42) (fq. 1479)
Marta e priti Jezusin në shtëpi. Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t'i merret.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 38 Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emër Martë, e priti në shtëpi.
39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij.
40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: »Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!« 41 »Martë, Martë - iu përgjigj Zotëria - ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet Maria zgjodh pjesën më të mirën që nuk do t'i merret.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve, që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd, ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Vaj 3, 25
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, ndaj shpirtit që e kërkon.
Ose: Krh. 1 Kor 10, 17
Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.
Lutja pas kungimit
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne, pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore, të shndërrohemi në atë që kemi marrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.