Leximet e ditës
7 Tetor
Shën Maria Virgjër e Rruzares
Përkujtim
Antifona e hyrjes Krh. Lk 1, 28. 42
Të falemi, o Mari, hirplote, Zoti me ty: e bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar fryti i kraharorit tënd.
Kolekta
Hirin tënd, po të lutemi, o Zot, ndikoje në shpirtin tonë: Ti me anë të engjëllit lajmëtar na vure në dijeni për mishërimin e Krishtit Birit tënd, bëj që, me ndërmjetësinë e shën Marisë Virgjër, në saje të mundimit e të kryqit të tij të arrijmë lumturinë e ngjalljes. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 1, 12-14) (fq. 1445)
Ishin të përqendruar prore së bashku në uratë me disa gra e me Marinë, Nënën e Jezusit.
Lexim prej Veprave të apostujve
Pasi Jezusi u ngjit në qiell, 12 nxënësit u kthyen nga mali i Ullinjve në Jerusalem. Ky mal është afër Jerusalemit aq sa guxohet të ecet të shtunën.
13 Dhe, pasi hynë në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku zakonisht banonin. Ishin Pjetri, Gjoni, Jakobi, Andreu, Filipi, Toma, Bartolomeu, Mateu, Jakobi i Alfeut, Simoni Zelltar dhe Juda i Jakobit.
14 Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në uratë me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.
Fjala e Zotit
Psalmi Lk 1, 46-47.48-49.50-51.52-53.54-55 (fq. 1459/60)
Ref. Zoti e kujtoi mëshirën e vet.
Ose:
Ref. Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi.
46 “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.
Ref. Zoti e kujtoi mëshirën e vet.
Ose:
Ref. Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi.
48 Sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.
49 Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Ref. Zoti e kujtoi mëshirën e vet.
Ose:
Ref. Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi.
50 Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve.
Ref. Zoti e kujtoi mëshirën e vet.
Ose:
Ref. Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi..
52 I rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
Ref. Zoti e kujtoi mëshirën e vet.
Ose:
Ref. Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi.
54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim.”
Ref. Zoti e kujtoi mëshirën e vet.
Ose:
Ref. Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi.
Aleluja!
Gëzohu, o Hirplote! Zoti me ty! Je më e bekuar se të gjitha gratë . (Lk 1, 28.42b)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 1, 26-38) (fq. 1459)
Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. 28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.30
Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” 35 Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
38 Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, t’i përgjigjemi kësaj flie
dhe ashtu t’i kremtojmë sakramentet e Birit tënd
që të bëhemi të denjë për premtimet e tij,
që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR – I
Amësia e Shën Marisë Virgjër
62. Ky prefacion thuhet në Meshët e Shën Marisë Virgjër, duke përmendur, në vendin e caktuar, shenjën e festës, si shënohet në çdo Meshë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Dhe po të lavdërojmë, po të bekojmë dhe po të shpallim
në Festën Zojës Rruzare.
Ajo, për virtyt të Shpirtit Shenjt,
ngjizi në kraharorin e vet të Njëlindurin Birin tënd,
dhe, pa e prishur nderin e virgjërisë,
ia fali botës dritën e amshuar,
Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,
zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet.
Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur
bashkohen për të brohoritur me galdim.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,
ndërsa përvujtërisht po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Lk 1, 31
Ja do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, që ne të cilët me këtë sakrament shpallim vdekjen dhe ngjalljen e Birit tënd, të jemi gjithherë të bashkuar me të në mundime që të meritojmë të jemi pjesëtarë edhe të ngushëllimit e të lumturisë së tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.