Leximet e ditës
JAVA E XXVII GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Est 4, 17
Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd. Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën, të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore. Ti je Zotëruesi i të gjithave.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona: ki mëshirë për ne, na fal çka ndërgjegjja jonë na padit, e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Gal 3, 1-5) (fq. 1641/2)
Filluat me Shpirtin Shenjt e po mbaroni me trup!
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
1 Po kush, o galatas të pamend, jua mori mendtë, kurse para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar?
2 Vetëm kaq dua të di prej jush: a e morët Shpirtin Shenjt në saje të veprave të Ligjit, apo pse e pranuat fenë? 3 Po a kaq të marrë jeni?! Filluat me Shpirtin Shenjt e të mbaroni me trup?! 4 Po a thua kot i përjetuat të gjitha këto gjëra? Oh të kishin qenë kot!
5 Po a thua se Ai që ju jep Shpirtin Shenjt dhe bën ndër ju vepra të mrekullueshme, i bën këto pse ju i kryeni veprat e Ligjit e jo pse e keni dëgjuar Mësimin e fesë?
Fjala e Zotit
Psalmi Lk 1, 69-70.71-72.73-75 (fq. 1460)
Ref. Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, sepse e vizitoi popullin e vet.
69 Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 sikurse premtoi kaherë
me gojë të profetëve të tij të shenjtë.
Ref. Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, sepse e vizitoi popullin e vet.
71 Se do të na shpëtojë prej armiqve tanë
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
72 se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë
e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë.
Ref. Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, sepse e vizitoi popullin e vet.
73 E betimi që bëri në dobi të Abrahamit, atit tonë,
se do të na e bëjë të mundshme
74 t’i shërbejmë pa frikë, të çliruar nga duart e armikut
75 në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.
Ref. Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, sepse e vizitoi popullin e vet.
Aleluja!
Hapi, o Zot, zemrat tona që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd. (krh. Vap 16, 14b)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 11, 5-13) (fq. 1479)
Kërkoni e do të gjeni.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 5 »Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: 'Mik, m'i jep hua tri bukë 6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t'i jap për darkë,' 7 e ai prej brenda iu përgjigj: 'Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t'i jap!' - 5 Unë po ju them edhe nëse s'çohet t'ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t'i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit.
9 Edhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t'ju çelet. 10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera.
11 Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t'i japë gjarpër? 12 Ose, nëse i lyp vezë, do t'i japë akrep?
13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t'u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t'u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve, që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd, ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Vaj 3, 25
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, ndaj shpirtit që e kërkon.
Ose: Krh. 1 Kor 10, 17
Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.
Lutja pas kungimit
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne, pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore, të shndërrohemi në atë që kemi marrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.