Leximet e ditës

JAVA E XXVII GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Est 4, 17

 

Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd. Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën, të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore. Ti je Zotëruesi i të gjithave.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona: ki mëshirë për ne, na fal çka ndërgjegjja jonë na padit, e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Gal 3, 7-14) (fq. 1642)

 

Ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

 

Vëllezër, 7 dinie mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. 8 E Shkrimi shenjt, duke paraparë se Hyji do t'i shfajësojë paganët me anë të fesë, qysh më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: 'Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!" Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.

10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi shenjt thotë: "Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!" 11 E se askush s'mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: "I drejti do të jetojë me anë të fesë." 12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: "Kush e mban në të do të gjejë jetën."

13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse rri shkruar: "I mallkuar është gjithkush varet në kryq," ‑ 14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 111 (110), 1b-2.3-4.5-6 (fq. 790)

 

Ref. Zoti është besnik përgjithmonë.

 

1 Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,

në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,

për t'u shqyrtuar prej atyre që i duan.

 

Ref. Zoti është besnik përgjithmonë.

 

3 Stoli e shkëlqim është vepra e tij,

drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,

i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.

 

Ref. Zoti është besnik përgjithmonë.

 

5 U jep ushqim atyre që e druajnë,

kurrë s'e harron Besëlidhjen e vet.

6 Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta,

duke ua dhuruar pronën e paganëve.

 

Ref. Zoti është besnik përgjithmonë.

 

Aleluja!

Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë; e unë, kur të jem lartësuar nga toka do t'i tërheq tek unë të gjithë njerëzit. (krh. Gjn 12, 31b.32)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 11, 15-26) (fq. 1479/80)

 

Në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 15 pasi që Jezusi e dëboi djallin, disa thanë: »I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.« 16 Do tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit.

17 Por Ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha: »Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete - pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit - si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurtë. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndanë plaçkat e tija.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.«

24 »Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: 'Do të kthehem në shtëpinë time nga dola'. 25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur. 26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve, që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd, ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Vaj 3, 25

 

I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, ndaj shpirtit që e kërkon.

 

Ose: Krh. 1 Kor 10, 17

 

Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne, pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore, të shndërrohemi në atë që kemi marrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.