Leximet e ditës

JAVA E XXVIII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 25, 6-10a) (fq. 1000)

 

Zoti do të bëjë një gosti e do ta fshijë lotin nga çdo fytyrë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

6 Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti.7 Në këtë mal ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. 8 Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.

9 Dhe do të thuhet po atë ditë: "Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, 10 sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!".

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 23 (22), 1-3a.3b-4.5.6 (fq. 681)

 

Ref. Do të banoj përgjithmonë në shtëpinë e Zotit.

 

1 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

2 Nëpër fusha të gjelbra ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta,

3 shpirtin ma përtërin.

 

 

Ref. Do të banoj përgjithmonë në shtëpinë e Zotit.

 

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s' trembem nga e keqja

sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

 

Ref. Do të banoj përgjithmonë në shtëpinë e Zotit.

 

5 Ti ma shtron tryezën përpara

ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

 

Ref. Do të banoj përgjithmonë në shtëpinë e Zotit.

 

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

 

Ref. Do të banoj përgjithmonë në shtëpinë e Zotit.

 

Leximi i dytë (Fil 4, 12-14.19-20) (fq. 1658/9)

 

Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

 

Vëllezër, 12 di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak! 13 Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!

14 Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. 19 Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. 20 Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve Amen.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit t’ju japë shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij. (Ef 1,17-18)

Aleluja!

 

Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.

 

Ungjilli (Mt 22, 1-14) forma e shkurtër (Mt 22, 1-10) (fq. 1414/5)

 

Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra, (kryepriftërinjve dhe farisenjve.) Thoshte: 2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me Mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majme! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ 5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë.

7 Për këtë punë Mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’

10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. (11 Atëherë hyri edhe Mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë Mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”)

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Ose: 1 Gjn 3, 2

 

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.