Leximet e ditës

JAVA E XXVIII GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

 

Kolekta

 

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Gal 4, 22-24.26-27.31- 5, 1) (fq. 1643/4)

 

Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të lirës!

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

 

Vëllezër, 22 në Shkrim shenjt shkruan se Abrahami pati dy djem: njërin prej sllaves e tjetrin prej të lirës. 23 Ai prej skllaves është i lindur natyrisht, kurse ai prej gruas së lirë, në fuqi të premtimit.

24 Kjo është alegori: këto gra paraqesin dy Besëlidhjet: njëra Besëlidhjen që vjen nga mali Sinai ‑ e cila lind për skllavëri ‑ e paraqitur me Agarën; 26 Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë. 27 Sepse në Shkrim shenjt është: "Galdo, beronjë, ti që nuk lind fëmijë, gërthit në britmë hareje, ti, që nuk i sprovon dhimbjet e lindjes, sepse e përbuzura ka më shumë fëmijë se ajo që e ka burrin!" 31 Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të lirës!

5,1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t'ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 113 (112), 1b-2.3-4.5a.6-7 (fq. 791)

 

Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tash e përgjithmonë.

 

1 Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,

lavdërojeni, Emrin e Zotit!

2 Qoftë bekuar Emri i Zotit

qysh tash e deri në amshim,

 

Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tash e përgjithmonë.

 

3 Që kur lind dielli e derisa perëndon

qoftë bekuar Emri i Zotit!

4 I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt,

lavdia e tij i tejkalon qiejt.

 

Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tash e përgjithmonë.

 

5 Kush është si Zoti, Hyji ynë,

që fronin e ka në Lartësi,

6 e nga lart vrojton qiellin e tokën?

7 Nga pluhuri e ngre skamnorin,

nga llomi e lartëson të vobektin

 

Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, e përgjithmonë.

 

Aleluja

Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (krh. Ps 95, 8ab)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 11, 29-32) (fq. 1480)

 

Kësaj breznie nuk do t'i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 29 mbasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar Jezusi filloi të flasë:

»Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t'i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngritet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t'i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!

32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngriten bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Ose: 1 Gjn 3, 2

 

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.