Leximet e ditës

JAVA E XXVI GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42

 

Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë   (Job 19, 21-27) (fq. 638)

 

E di se gjallë e kam Shpaguesin: unë do ta shoh.

 

Lexim prej Librit të Jobit

 

Në ato ditë Jobi tha: 21 Dhimbë, deh dhimbë kini për mua, së paku ju, o miqtë e mi!... se më goditi dora e Zotit! 22 Pse më përndiqni si Hyji, si s'u ngitë me mishin tim?!

23 Po të shkruheshin fjalët e mia, të shënoheshin në ndonjë libër, 24 në gur të gjallë për amshim t'u gdhendshin me daltë hekuri e me plumb! 25 E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i mbrami përmbi dhe do të ngritet, 26 e pas kësaj lëkure që ma ropën në mishin tim Hyjin do ta shoh.

27 Unë, unë vetë Atë do ta shikoj e për sytë e mi s'do të jetë i huaj!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi   27 (26) (fq. 685)

 

Ref.   TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM

 

7 Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,

ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

8 Për ty tha zemra ime:

"Kërkojeni fytyrën time!"

 

Ref.   TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM

 

"Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj."

9 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,

mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz.

 

Ref.   TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM

 

13 Besoj se do t'i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Ref.   TI, O ZOT, JE NDIHMA IME DHE SHËLBIMI IM

 

Aleluja!

Është afër Mbretëria e Hyjit; kthehuni dhe besoni Ungjillit. (Mk 1, 15)

Aleluja!

 

Ungjilli   (Lk 10, 1-12) (fq. 1477/8)

 

Mbi të do të zbresë paqja juaj.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. 2 U thoshte: »Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as të sandale e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: 'Paqja me këtë shtëpi!' 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s'është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t'u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t'ju pranojnë, hani çka t'ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: 'U afrua Mbretëria e Hyjit!'10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu: 11 'Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për të sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit! 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50

 

Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.

 

Ose: 1 Gjn 3, 16

 

Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.

 

Lutja pas kungimit

 

Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.