Leximet e ditës

JAVA E XXVIII GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

 

Kolekta

 

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Gal 5, 18-25) (fq. 1645/6)

 

Ata që janë të Krishtit Jezus e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prujta.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

 

Vëllezër, 18 nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit.

 19 Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, 21 zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.

22 Kurse fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, 23 butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.

24 Ata që janë të Krishtit Jezus e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prujta. 25 Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, duhet edhe ne të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 1, 1-2.3.4.6 (fq. 659)

 

Ref. Kush vjen pas teje, o Zot, do ta ketë dritën e jetës.

 

1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,

që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve

e nuk rri së bashku me përqeshës,

2 por kënaqet në Ligjin e Zotit

dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ref. Kush vjen pas teje, o Zot, do ta ketë dritën e jetës.

 

3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,

e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s'i vyshken:

i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Ref. Kush vjen pas teje, o Zot, do ta ketë dritën e jetës.

 

4 Jo, kështu jo, s'do t'u ndodhë të paudhëve,

por ata janë porsi byku që shpërndan era.

6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,

kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.

 

Ref. Kush vjen pas teje, o Zot, do ta ketë dritën e jetës.

 

Aleluja!

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti: unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 11, 42-46) (fq. 1481)

 

Vaj për ju, o farisenj. Vaj për ju, o mësues të Ligjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë Jezusi tha: 42 Vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e qitni pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s'është dashur të lihen!43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe! 44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit paditur, ecin mbi to!«

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha: »Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!« 46 »Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit - iu përgjigj Jezusi - sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Ose: 1 Gjn 3, 2

 

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.