Leximet e ditës

JAVA E XXVIII GJATË VITIT - Më poshtë Shën Tereza e Avilës, virgjër dhe mësuese e Kishës

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

 

Kolekta

 

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ef 1, 1-10) (fq. 1646/7)

 

Në Të na zgjodhi para krijimit të botës.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit për vullnet të Hyjit: shenjtërve që janë (në Efes), besimtarëve në Jezu Krishtin. 2 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!

3 Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. 4 Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. 5 Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet 6 për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit: 7 në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, 8 të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim. 9 Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet ‑ synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të ‑ 10 kur të plotësohej koha: domethënë të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjitha qeniet që janë në qiell e në tokë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98 (97), 1.2-3ab.3cd-4.5-6 (fq. 770)

 

Ref. Zoti e zbuloi drejtësinë e vet.

 

1 Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

 

Ref. Zoti e zbuloi drejtësinë e vet.

 

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

ndaj shtëpisë së Izraelit.

 

Ref. Zoti e zbuloi drejtësinë e vet.

 

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë Toka le t'i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

 

Ref. Zoti e zbuloi drejtësinë e vet.

 

5 Këndoni Zotit me harpë,

me tinguj veglash muzikore,

6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,

brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

 

Ref. Zoti e zbuloi drejtësinë e vet.

 

Aleluja!

Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti; askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. (Gjn 14, 6)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 11, 47-54) (fq. 1481)

 

Do të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

1 Në atë kohë, Jezusi tha: 47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë. 48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore! 49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, 50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: 51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.

52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!«

53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i vënë shumë pyetje, 54 duke i ngrehur leqe për ta zënë ngushtë në ndonjë fjalë prej gojës së tij.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Ose: 1 Gjn 3, 2

 

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

15 tetor

 

Shën Tereza e Avilës, virgjër dhe mësuese e Kishës

 

Përkujtim

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 41, 2-3

 

Sikurse dreri e dëshiron burimin e ujit të gjallë, po ashtu të dëshiron, o Hyj, shpirti im. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti me frymëzimin e Shpirtit tënd e mësove shën Terezën të tregojë në Kishën tënde udhë të re të përsosmërisë, bëj që edhe ne të gjejmë në mësimin e saj ushqimin shpirtëror e të ndizemi flakë nga dashuria e shenjtërisë së vërtetë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Rom 8, 22-27) (fq. 1598)

 

Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 22 e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. 23 Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin - shpërblimin e trupit tonë. 24 Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë.

Porse shpresa që shihet, nuk është shpresë. Sepse, çka dikush e sheh, si mund ta shpresojë? 25 Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim atë gjë e presim me qëndresë.

26 Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme. 27 E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt - se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 19 (18), 8.9.10.11 (fq. 676)

 

Ref. Të gjitha gjyqet e Zotit janë të drejta.

 

8 I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

 

Ref. Të gjitha gjyqet e Zotit janë të drejta.

 

9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

 

Ref. Të gjitha gjyqet e Zotit janë të drejta.

 

10 E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha njësoj të drejta.

 

Ref. Të gjitha gjyqet e Zotit janë të drejta.

 

11 Më të çmueshme se ari,

se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti,

se hoja që rrjedh mjaltë.

 

Ref. Të gjitha gjyqet e Zotit janë të drejta.

 

Aleluja!

Qëndroni në dashurinë time, thotë Zoti, kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt. (Gjn 15,9b.5b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 15, 1-8) (fq. 1532)

 

Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. 2 Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt.

3 Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë.

4 Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. 5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.

 6 Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. 7 Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet.

8 Me këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.

 

Fjala e Zotit

 

Ose:

 

Leximi i parë (Rom 8, 22-27) (fq. 1598)

 

Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 22 e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. 23 Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin - shpërblimin e trupit tonë. 24 Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë. Porse shpresa që shihet, nuk është shpresë. Sepse, çka dikush e sheh, si mund ta shpresojë? 25 Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim atë gjë e presim me qëndresë.

26 Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme. 27 E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt - se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 15 (14) (fq. 671)

 

Ref. Lum ai që ngjitet në malin e shenjtë të Zotit.

 

1 O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde?

Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?

 

2 Vetëm ai që jeton me nder,

që vepron me drejtësi

e prej zemrës flet të vërtetën.

 

Ref. Lum ai që ngjitet në malin e shenjtë të Zotit.

 

3 Ai që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton,

4 ai që bakeqin e mban për asgjë

e i çmon ata që e druajnë Zotin.

 

Ref. Lum ai që ngjitet në malin e shenjtë të Zotit.

 

5 Nuk jep të holla me kamatë

e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

Kush vepron kështu

kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.

 

Ref. Lum ai që ngjitet në malin e shenjtë të Zotit.

 

Aleluja!

Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri. (krh. Lk 11, 28)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 10, 38-42) (fq. 1479)

 

Marta, e priti në shtëpi. Maria zgjodhi pjesën më të mirën.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë 38Jezusi, hyri në një fshat dhe një grua, me emër Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: »Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!«

41 »Martë, Martë - i përgjigji Zotëria - ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Të pëlqefshin, o Zot, dhuratat tona, sikurse të pëlqeu kushtimi i krejt qenies së shën Terezës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 88, 2

 

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, brez pas brezi goja ime do ta shpallë besnikërinë tënde.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Zoti ynë, që na ushqeve me bukën qiellore, bëj që, sipas shembullit të shën Terezës, me gëzim t’i këndojmë për amshim dashurisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.