Leximet e ditës

JAVA E XXVIII GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

 

Kolekta

 

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ef 1, 15-23) (fq. 1647)

 

E vendosi Krishtin si Krye të Kishës, e cila është Trupi i tij.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

Vëllezër, 15 qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë ndaj të gjithë shenjtërve, 16 nuk pushoj të falënderohem për ju e t'ju kujtoj në lutje të mia, 17 që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t'ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; 18 t'ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, 19 dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij ndaj nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij, 20 të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell, 21 mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme. 22 Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës, 23 e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 8, 2-3ab.4-5.6-7 (fq. 665)

 

Ref. O Atë, ti e vendose Birin mbi çdo gjë.

 

2 O Zot, Zoti ynë,

sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave.

 

Ref. O Atë, ti e vendose Birin mbi çdo gjë.

 

4 Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu,

hënën e yjet që ti u dhe qendër,

5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,

biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

Ref. O Atë, ti e vendose Birin mbi çdo gjë.

 

6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,

e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.

Gjithçka vure nën këmbët e tij.

 

Ref. O Atë, ti e vendose Birin mbi çdo gjë.

 

Aleluja!

Shpirti i së vërtetës do të dëshmojë për mua, por edhe ju do të dëshmoni për mua thotë Krishti. (Gjn 15, 26b.27a)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 12, 8-12) (fq. 1482)

 

Shpirti Shenjt në atë orë do t'ju mësojë çka duhet të thoni.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 8»Unë po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tij para engjëjve te Hyjit. 9 E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t'i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.

10 Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t'iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje.

11 Mandej, kur t'ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni se si do të mbroheni e çka do të thoni: 12 sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t'ju mësojë çka duhet të thoni.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Ose: 1 Gjn 3, 2

 

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.