Leximet e ditës

JAVA E XXIX GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8

 

Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 45, 1.4-6) (fq. 1025)

 

Ia kapa të djathtën e tij për t'i shtruar para tij popujt.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

1 Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: "Ia kapa të djathtën e tij për t'i shtruar para tij popujt, për t'i vënë në ikje mbretërit, për t'i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s'do të mbyllen. 4 Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s'më njihje. 5 Unë jam Zot e tjetër s'ka: përveç meje Hyj tjetër s'ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s'më njihje 6 që të dihet prej lindjes në perëndim, se pos meje, askush tjetër s'është!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 96 (95), 1.3.4-5.7-8.9-10 (fq. 768)

 

Ref. I madh është Zoti, i denjë për çdo lavdi.

 

1 Këndoni Zotit një këngë të re!

Mbarë toka le t'i këndojë Zotit!

3 Kumtojeni ndër pagan lavdinë e tij,

ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

 

Ref. I madh është Zoti, i denjë për çdo lavdi.

 

4 Sepse i madh është Zoti,

më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!

5 Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,

kurse Zoti e ka krijuar qiellin.

 

Ref. I madh është Zoti, i denjë për çdo lavdi.

 

7 Jepni Zotit, familjet e popujve,

jepni Zotit nder e fuqi,

8 jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.

 

Ref. I madh është Zoti, i denjë për çdo lavdi.

 

9 Adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!

10 Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«

Ai i gjykon popujt me drejtësi.

 

Ref. I madh është Zoti, i denjë për çdo lavdi.

 

Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5b) (fq. 1670)

 

Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

 

1 Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! 2 Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona 3 duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.

4 Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, 5 mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Shndritni si pishtarë në botë duke e mbajtur lart fjalën e jetës. (Fil 2,15-16)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 22, 15-21) (fq. 1415)

 

Jepni, pra Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 15 farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. 16 Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t'i thënë: »Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç'pozitë kanë njerëzit! 17 Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t'i paguhet Cezarit tatim apo jo?«

18 Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: »Shtiracakë, pse po më sprovoni? 19 Ma tregoni monedhën e tatimit!« 20 Ata ia sollën një denar. »E kujt është - u tha - kjo fytyrë e ky mbishkrim?« 21 »E Cezarit!« - i përgjigjën ata. Atëherë Jezusi u tha: »Jepni, pra Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19

 

Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.

 

Ose: Mk 10, 45

 

Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.