Leximet e ditës
JAVA E XXIX GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 2, 1-10) (fq. 1647/8)
Na ngjalli bashkë me Krishtin dhe bashkë me të na vendosi në qiell.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, 1 ju ishit të vdekur për shkak të fajeve e të mëkateve tuaja, 2 në të cilat dikur keni jetuar, kur ndiqnit parimet e këtij shekulli, të prijësit që sundon mes qiellit e tokës, simbas atij shpirti që tani vepron në bijtë e padëgjesës... 3 Ndër ta edhe ne dikur jetonim në prirjet e prujta të mishit e të gjakut tonë duke i kënaqur epshet e mishit e dëshirat e këqija dhe, prej natyre, ishim edhe ne, si tjerët, bij të lëshuar në dorë të hidhërimit.
4 Porse Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, 5 ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ 6 dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: 7 që me mirësinë e tij ndaj neve në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të veten.
8 Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s'vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! 9 E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet. 10 Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më para që të jetojmë në to.
Fjala e Zotit
Psalmi 100 (99), 1b-2.3.4ab.4c.5 (fq. 772)
Ref. Të shëlbuar me dashuri, të këndojmë një këngë të re.
2 Toka mbarë le t'i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
Ref. Të shëlbuar me dashuri, të këndojmë një këngë të re.
3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
Ref. Të shëlbuar me dashuri, të këndojmë një këngë të re.
4 Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd,
hyni në treme të tij e këndoni himne,
lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
Ref. Të shëlbuar me dashuri, të këndojmë një këngë të re.
5 Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
Ref. Të shëlbuar me dashuri, të këndojmë një këngë të re.
Aleluja!
Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (Mt 5, 3)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 12, 13-21) (fq. 1482)
Ç'grumbullove kujt do t'i mbesë?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 13 dikush prej turmës i tha Jezusit: »Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.« 14 Or mik, - iu përgjigj Jezusi - kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?« 15 Atëherë u tha: »Viniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.«
16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: »Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte në vete e thoshte: 'Ç'të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.' 18 Dhe tha: ' Kështu po bëj: do t'i rrëzoj grunarët e do t'i punoj më të mëdhenj dhe do t'i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!'
20 Porse Hyji i tha: I Marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç'grumbullove kujt do t'i mbesë? 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19
Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ose: Mk 10, 45
Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.