Leximet e ditës
JAVA E XXIX GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 2, 12-22) (fq. 1648)
Krishti është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, 12 le t'ju bjerë në mend se në atë kohë ishit pa Mesinë, të përjashtuar nga nënshtetësia e Izraelit, të huaj për Besëlidhjet e premtimit, ishit të pashpresë e të patenzot në botë. 13 Por tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit 'larg' erdhët 'ngjat' ‑ në saje të gjakut të Krishtit.
14 Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës domethënë armiqësinë ‑ në trupin e vet. 15 Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, 16 të dy t'i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. 17 E prandaj erdhi t'ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. 18 Në sajë të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.
19 Prandaj, nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, 20 të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. 21 Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. 22 Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.
Fjala e Zotit
Psalmi 85 (84), 9ab-10.11-12.13-14 (fq. 755)
Ref. Ti, o Zot, je paqja jonë.
9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet.
10 Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
Ref. Ti, o Zot, je paqja jonë.
11 Dashuria dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
12 E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
Ref. Ti, o Zot, je paqja jonë.
13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
14 Drejtësia do t'i shkojë përpara
dhe do t'u tregojë udhën hapave të tij.
Ref. Ti, o Zot, je paqja jonë.
Aleluja!
Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment, që të mund të qëndroni para Birit të Njeriut. (Lk 21, 36)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 12, 35-38) (fq. 1482/3)
Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:
35 »Jini gati - të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura - 36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t'ia çelur derën posa të vij e të trokëllitë.
37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t'i ulë në tryezë do të afrohet dhe vetë do t'i shërbejë.
38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19
Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ose: Mk 10, 45
Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.