Leximet e ditës
JAVA E XXIX GJATË VITIT
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 3, 2-12) (fq. 1649)
Misteri i Krishtit qe zbuluar: të zgjedhurit janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, 2 mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, 3 se me zbulesë qesh vënë në njohuri të Misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. 4 Duke e lexuar mund ta kuptoni se si unë e marr vesh Misterin e Krishtit.
5 Ai nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: 5 se paganët ‑ në Jezu Krishtin ‑ janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit, 7 mbarështuesi i të cilit u bëra me anë të dhuratës së hirit të Hyjit që m'u dha me fuqinë mrekullisht vepruese të tijën.
8 Mua, më të voglit ndër të gjithë shenjtërit, m'u dha ky hir: t'ua shpall paganëve pasurinë e pashqyrtueshme të Krishtit, 9 e të bëj të dalë në dritë (para të gjithëve) si vihet në veprim Misteri i mbajtur fshehur që prej amshimit në mendjen e Hyjit, Krijuesit të rruzullimit, 10 që tani ‑ me anë të Kishës ‑ të njoftohen Principatat e Pushtetet në qiell lidhur me dijen e shumëllojshme të Hyjit ‑ 11 të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë. 12 Në të kemi, në saje të besimit në Të, lirinë t' i afrohemi Hyjit me plot shpresë.
Fjala e Zotit
Psalmi Is 12, 2.3.4bcd.5-6 (fq. 988)
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
2 Qe, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im."
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
3 Me galdim do të merrni ujë
nga burimet e shëlbimit.
4 "Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni nder popuj veprat e tija
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
5 Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
le ta marrë vesh bota mbarë!
6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!"
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
Aleluja!
Rrini zgjuar, rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni. (Mt 24, 42a.44)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 12, 39-48) (fq. 1483)
Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 39 Mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t'i thyhej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s'jua merr mendja.«
41 Atëherë Pjetri tha: »Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?«
42 Zotëria iu përgjigj: "Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t'u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: 'Zotëria im do të vonojë të kthehet' dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t'ia japë fatin e të pafeve.
47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rrahura. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak.
Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19
Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ose: Mk 10, 45
Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.