Leximet e ditës
JAVA E XXIX GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 3, 14-21) (fq. 1649)
Të rrënjosur e të themeluar në dashuri jeni të mbushur me tërë plotësinë e Hyjit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Fëmijëzit e mi, 14 i përkuli gjunjët e mi para Atit, 15 prej të Cilit merr emrin e vet çdo atëri në qiell e mbi tokë, 16 që të denjohet, në saje të begatisë së Lavdisë së vet, t'ju forcojë me anë të Shpirtit të vet në fuqi për të mirën e njeriut të brendshëm, 17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të fesë në mënyrë që, të rrënjosur e të themeluar në dashuri, 18 të mund ta kuptoni bashkë me të gjithë shenjtërit çka është Gjerësia, Gjatësia, Lartësia dhe Thellësia l9 e ta merrni vesh dashurinë e Krishtit që kapërcen çdo dije, kështu që të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit.
20 E Atij, që, në saje të fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë shumë më tepër se ne mund të kërkojmë ose edhe mund të mendojmë, 21 Atij i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin në të gjitha breznitë e jetës së jetëve. Amen.
Fjala e Zotit
Psalmi 33 (32), 1-2.4-5.11.12.18-19 (fq. 692)
Ref. Plot është toka me dashurinë e Zotit.
Galdoni, o të drejtë në Zotin,
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
Ref. Plot është toka me dashurinë e Zotit.
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tij me besë.
5 Ai e do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ref. Plot është toka me dashurinë e Zotit.
11 Synimi i Zotit qëndron për amshim,
mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin,
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
Ref. Plot është toka me dashurinë e Zotit.
18 Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t'i shpëtuar nga vdekja
e për t'i ushqyer në kohën e urisë.
Ref. Plot është toka me dashurinë e Zotit.
Aleluja!
Kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin 9 dhe të gjendem në Të. (Fil 3, 8-9)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 12, 49-53) (fq. 1483)
Nuk erdha të sjell paqen mbi tokë, por përçarjen!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 49 »Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! 50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!
51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! 52 Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve: 53 Babai do të zihet me djalë, e djali me babanë, nëna me bijën, e bija me nënën, vjehrra me renë e reja me vjehrrën.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19
Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ose: Mk 10, 45
Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.