Leximet e ditës

JAVA E XXIX GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8

 

Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ef 4, 1-6) (fq. 1649/50)

 

Një trup i vetëm, një Zot i vetëm, një fe e vetme, një pagëzim i vetëm.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

Vëllezër, 1 ju përbej unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: 2 me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri‑tjetrin me dashuri! 3 Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon.

4 S'ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. 5 Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; 6 një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 24 (23), 1-2.3-4ab.5-6 (fq. 682)

 

Ref. Ne e kërkojmë fytyrën tënde, o Zot.

 

1 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,

rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

2 Ai vetë e themeloi mbi dete,

dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Ref. Ne e kërkojmë fytyrën tënde, o Zot.

 

3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi.

 

Ref. Ne e kërkojmë fytyrën tënde, o Zot.

 

5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,

e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

Ref. Ne e kërkojmë fytyrën tënde, o Zot.

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e mbretërisë qiellore.(Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 12, 54-59) (fq. 1483)

 

Pamjen e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, Jezusi 54 iu drejtua turmës: »Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: 'Do të bjerë shi!', dhe ashtu ndodh. 55 Kur shihni se fryn shiroku, thoni: 'Do të jetë vapë' dhe bën vapë, 56 Shtiracakë! Pamjen e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?« 57 Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç'është e drejtë?

58 Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në godi me të - që të mos qesë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg. 59 Unë po të them se s'do të dalësh prej andej pa e paguar edhe paranë e fundit.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19

 

Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.

 

Ose: Mk 10, 45

 

Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.