Leximet e ditës

JAVA E XXIX GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8

 

Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove; ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj porsi beben e syrit; më mbroj nën hijen e krahëve të tu.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ef 4, 7-16) (fq. 1650)

 

Krishti është kryet prej të cilit mbarë trupi merr fuqi për t’u zhvilluar.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

Vëllezër, 7 secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. 8 Këndej edhe thuhet: "Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve."

9 E ajo fjalë: "U ngrit", çka do të thotë tjetër, por se më parë "zbriti" këtu poshtë, përmbi tokë; 10 Ai që "zbriti, është po Ai që "u ngrit" mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë.

11 E Ai i "dha" disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, 12 që shenjtërit t'i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, 13 deri që të gjithë t'ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.

 14 Që të mos jemi më foshnja me të cilët luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh në këtë lojë të njerëzve që me dredhi i hapin udhën gabimit. 15 Por, duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën, të rritemi në çdo pikëpamje drejt Atij që është Kryet ‑ Krishtit. 16 Prej tij, Trupi i tërë, si një copë, mirë i lidhur në një, ashtu që çdo gjymtyrë ndihmon sipas funksionit që iu dha veçanërisht secilës pjesë dhe e mundëson rritjen e Trupit në ndërtimin e vetvetes në dashuri.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 122 (121), 1-2.3-4ab.4bc-5 (fq. 807)

 

Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.

 

1 Sa u gëzova kur më thanë:

" Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!"

2 Ja, tashmë këmbët tona shkelën

në dyert e tua, o Jerusalem!

 

Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.

 

3 O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,

thuaj se i tëri një cope të vetme je!

4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit.

 

Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.

 

Sipas rregullores në Izrael

për të kremtuar Emrin e Zotit.

5 Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,

selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.

 

Aleluja!

Nuk e dua vdekjen e të mëkatarit, thotë Zoti, por dua që të kthehet nga rruga e ligë e të jetojë! (Ez 33, 11)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 13, 1-9) (fq. 1484)

 

Nëse nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni në të njëjtën mënyrë!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 ia behën disa dhe ia treguan Jezusit çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre.

2 Jezusi u përgjigj: »A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!«

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: Një njeri e kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: 'Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?'

8 Ai iu përgjigj:' Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t'i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte... Po qe se jo, atëherë do ta presësh!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua, kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë, të na pastrojnë me hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 32, 18-19

 

Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, për t’i shpëtuar nga vdekja, për t’i ushqyer në kohën e urisë.

 

Ose: Mk 10, 45

 

Biri i njeriut erdhi që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore, që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.