Leximet e ditës

JAVA E XXX GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 104, 3-4

 

Le të galdojë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe fuqinë e tij, gjithmonë kërkoni fytyrën e tij.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe, për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Dal 22, 20-26) (fq. 107/8)

 

Nëse e dëmtoni vejushën e bonjakun, hidhërimi im do të ndizet flakë kundër jush.

 

Lexim prej Librit të Daljes

 

Kështu thotë Zoti: 20 Mos e shfrytëzo as mos e shtyp të huajin, sepse edhe ju qetë të huaj në dheun e Egjiptit. 21 Mos e keqtrajtoni vejushën as bonjakun. 22 Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. 23 Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju prej me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë.

24 Nëse do t’i huajosh para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim, që është me ty, mos u sill me të si t’i ishe kamatari: mos i merrni kamatë. 25 Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. 26 Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështjell trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 18 (17), 2-3.3-4.47.51 (fq. 673)

 

Ref. Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

2 Të dua, o Zot, fuqia ime!

3 O Zot, qeta ime,

fuqia ime, Shpëtimtari im!

 

Ref. Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

4 Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,

dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

 

Ref. Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

47 Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!

Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

51 Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,

e përkrah të shuguruarin e vet.

 

Ref. Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

Leximi i dytë (1 Sel 1, 5c-10) (fq. 1665/6)

 

Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t'i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

 

Vëllezër 5 ju mirë e dini, si kemi qenë ndër ju për të mirën tuaj. 6 Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzim që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, 7 kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës. 8 Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s'kemi nevojë të flasim për këtë gjë. 9 Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç'pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t'i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë 10 dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Nëse ndokush më do, ai do ta mbajë fjalën, thotë Zoti, Ati im do ta duajë dhe tek ai do të vijmë. (Gjn 14, 23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 22, 34-40) (fq. 1415)

 

Duaje Zotin, Hyjin tënd, dhe të afërmin tënd porsi vetveten!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 34 farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri sish mësues Ligji për ta vënë në provë, e pyet Jezusin: 36 »Mësues, cili është më i madh urdhërim i Ligjit?« 37 »Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 39 I dyti është i barabartë me të. 'Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!' 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate, që shërbesa që tani po kryejmë të jetë në nder të emrit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 19, 6

 

Të gëzohemi për ngadhënjimin tënd, të galdojmë për nder të emrit të Hyjit tonë!

 

Ose: Ef 5, 2

 

Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht dhe fli që jep erë të mirë.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që sakramentet e tua të plotësojnë në ne atë që përmbajnë, kështu që, çka tani po kryejmë në shenjë, ta fitojmë në realitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.