Leximet e ditës
JAVA E XXX GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 104, 3-4
Le të galdojë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe fuqinë e tij, gjithmonë kërkoni fytyrën e tij.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe, për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 4, 32-5, 8) (fq. 1651)
Jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, 32 jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri‑tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
5,1 Përngjani Hyjit porsi bij të dashur 2 dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli "që jep erë të mirë".
3 Fëlligështia ose çdo lloj papastërtie ose lakmimi as të mos zihet në gojë ndër ju, siç u ka hije shenjtërve. 4 Po as fjalë të ndyta, as marri, as fjalë me dy vështrime që nuk kanë hije, por më mirë falënderje. 5 Sepse mirë dinie këtë: asnjë fëlligështar, asnjë kurvar, asnjë lakmues pasurie ‑ që është idhujtar ‑ nuk ka pjesë në Mbretërinë e Hyjit.
6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota: për këto gjëra bie hidhërimi i Hyjit mbi njerëzit e padëgjueshëm. 7 Mos kini, pra, kurrgjë të përbashkët me ta! 8 Po, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës.
Fjala e Zotit
Psalmi 1, 1-2.3.4.6 (fq. 659)
Ref. Lum ai njeri që ec në dritën e Zotit.
1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,
2 por kënaqet në Ligjin e Zotit dhe e kujton atë ditë e natë.
Ref. Lum ai njeri që ec në dritën e Zotit.
3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s'i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Ref. Lum ai njeri që ec në dritën e Zotit.
4 Jo, kështu jo, s'do t'u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
Ref. Lum ai njeri që ec në dritën e Zotit.
Aleluja!
Fjala jote, o Zot, është e vërtetë, na shenjtëro në të vërtetën. (krh. Gjn 17, 17ba)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 13, 10-17) (fq. 1484)
Kjo bijë e Abrahamit, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!«
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Një 10 të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin - shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s'mund të ndreqej drejtë assesi.
12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha: »Fisnike, qe, u shërove prej sëmundjes sate!« 13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.
14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit: »Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!«
15 »Shtiracakë! - iu përgjigj Zotëria - A nuk e zgjidh secili jush prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!«
17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që i bëri.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate, që shërbesa që tani po kryejmë të jetë në nder të emrit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 19, 6
Të gëzohemi për ngadhënjimin tënd, të galdojmë për nder të emrit të Hyjit tonë!
Ose: Ef 5, 2
Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht dhe fli që jep erë të mirë.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, që sakramentet e tua të plotësojnë në ne atë që përmbajnë, kështu që, çka tani po kryejmë në shenjë, ta fitojmë në realitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.