Leximet e ditës
JAVA E XXX GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 104, 3-4
Le të galdojë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe fuqinë e tij, gjithmonë kërkoni fytyrën e tij.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe, për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 5, 21-33) (fq. 1651)
Ky mister është i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, 21 nënshtrohuni njëri‑tjetrit në frikën e Krishtit! 22 Gratë le t'u binden burrave të vet sikurse Zotit. 23 Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës ‑ Ai, Shëlbuesi i Trupit. 24 Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t'u binden burrave të vet në gjithçka.
25 Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të 26 për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me lamje dhe me fjalë, 27 që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë. 28 Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t'i duan gratë e veta ‑ porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. 29 Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. 30 Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij.
31 "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm." 32 Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën. Shkurt, për sa u përket juve, secili prej jush le ta duajë gruan e vet porsi vetveten e gruaja le ta nderojë burrin e vet.
Fjala e Zotit
Psalmi 128 (127), 1-2.3.4-5 (fq. 810)
Ref. Do të jetë i bekuar ai që e druan Zotin.
1 Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tij.
2 Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh!
Ref. Do të jetë i bekuar ai që e druan Zotin.
3 Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
Ref. Do të jetë i bekuar ai që e druan Zotin.
4 Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin!
5 Të bekoftë Zoti prej Sionit
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate
Ref. Do të jetë i bekuar ai që e druan Zotin.
Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që ua zbulove të vegjëlve misteret e Mbretërisë qiellore. (krh. Mt 11, 25)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 13, 18-21) (fq. 1484)
Kokrra e sinapit u zhvillua e u bë lëndë e madhe.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi tha: 18 »Me çka është e ngjashme Mbretëria e Hyjit? Me çka ta krahasoj? 19 Është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në kopsht të vet. Ajo me kohë u zhvillua e u bë lëndë dhe shpendët e qiellit bënë çerdhe në degët e saja.«
20 Dhe vijoi: »Me çka tjetër ta krahasoj Mbretërinë e Hyjit? 21 Ajo i përngjan tharmit, të cilin e mori gruaja, e përzjeu me tri masë miell, derisa s'u mbrua krejt.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate, që shërbesa që tani po kryejmë të jetë në nder të emrit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 19, 6
Të gëzohemi për ngadhënjimin tënd, të galdojmë për nder të emrit të Hyjit tonë!
Ose: Ef 5, 2
Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht dhe fli që jep erë të mirë.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, që sakramentet e tua të plotësojnë në ne atë që përmbajnë, kështu që, çka tani po kryejmë në shenjë, ta fitojmë në realitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.