Leximet e ditës

28 tetor

 

SHËN SIMONI E SHËN JUDA, APOSTUJ

Festë

 

Antifona e hyrjes

 

Në dashurinë e vet bujare Hyji zgjodhi këta burra të shenjtë dhe ua dha lavdinë e përhershme.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që me anën e apostujve të shenjtë të arrijmë ta njohim emrin tënd; bëj që, me ndërmjetësinë e shën Simonit e shën Judës, Kisha jote vazhdimisht të rritet me shumëzimin e atyre që besojnë në ty. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ef 2, 19-22) (fq. 1648)

 

Jemi të ndërtuar mbi themelin e apostujve!

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

Vëllezër, 19 ju nuk jeni më të huaj as mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, 20 të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi.

21 Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. 22 Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 19 (18), 2-3.4-5 (fq. 676)

 

Ref. Zëri i tyre u përhap në mbarë botën.

 

2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit,

kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!

3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë

e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.

 

Ref. Zëri i tyre u përhap në mbarë botën.

 

4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri,

po as zë që do të mund të dëgjohet,

5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona,

diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!

 

Ref. Zëri i tyre u përhap në mbarë botën.

 

Aleluja!

Ne po të lavdërojmë, e po të bekojmë, o Zot, ty të lavdëron kori i lavdishëm i apostujve.

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 6, 12-19) (fq. 1468)

 

Jezusi i zgjodhi të dymbëdhjetët, të cilët edhe i quajti apostuj!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Ndër ato ditë, 12 Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, kushtet tona që po t’i paraqesim në nder të përhershëm të shën Simonit dhe shën Judës dhe bëj të marrim pjesë si duhet në kremtimin e këtyre mistereve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Gjn 14, 23

 

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti; Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë.

 

Lutja pas kungimit

 

Pasi e morëm, o Zot, kungimin e shenjtë, me përvujtëri po të lutemi në Shpirtin Shenjt që ky kremtim në përkujtimin e nderueshëm të apostujve Simon e Judë të na ruajë përherë në dashurinë tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 519