Leximet e ditës
JAVA E XXX GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 104, 3-4
Le të galdojë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe fuqinë e tij, gjithmonë kërkoni fytyrën e tij.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe, për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ef 6, 10-20) (fq. 1652)
Ngjishuni me armët e Hyjit që të mund t' u qëndroni përballë pritave të djallit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, 10 forcohuni në Zotin dhe në fuqinë e pakufishme të tijën! 11 Ngjishuni me armët e Hyjit që të mund t'u qëndroni përballë pritave të djallit. 12 Sepse, nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij të hapësirës qiellore.
13 Prandaj ngjeshni të gjitha armët e Hyjit që të mund të qëndroni përballë në ditën e ligë e, pasi të ngadhënjeni mbi të gjitha, të qëndroni zotërues të fushës. 14 Në këmbë, pra! Ngjeshni ijët me të vërtetën dhe vishni drejtësinë në vend të pancirit, 15 mbathni këmbët me zellin e kumtimit të Ungjillit të paqes! 16 Në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë: me të do të mund t'i fikni shigjetat e zjarrta të të Keqit! 17 Merrni përkrenaren e shëlbimit dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, domethënë Fjalën e Hyjit!
18 Lutuni në bashkim me Shpirtin Shenjt me çdo uratë e lutje në çdo rast! Prandaj edhe rrini zgjuar me shumë qëndresë dhe në lutje për të gjithë shenjtërit. 19 Lutuni edhe për mua, që Hyji të ma zhdrivillojë gjuhën dhe të më japë fjalë të përshtatshme për ta kumtuar plot guxim misterin e Ungjillit, 20 i dërguari i të cilit jam në pranga, që të mund të flas me guxim të duhur.
Fjala e Zotit
Psalmi 144 (143), 1b.2.9-10 (fq. 823)
Ref. Ti, o Zot, je mbështetja ime.
1 Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im
që m'i mëson duart për luftim
e gishtërinjtë për luftë.
Ref. Ti, o Zot, je mbështetja ime.
2 Dashuria ime dhe kështjella ime,
strehimi im dhe çlirimtari im,
shqyti im pas të cilit fshihem,
ai që popujt i vë nën sundimin tim.
Ref. Ti, o Zot, je mbështetja ime.
9 O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re,
për ty do të luaj në lirën dhjetë kordash,
10 sepse mbretërve ti u jep fitoren,
e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,
prej shpatës vrastare.
Ref. Ti, o Zot, je mbështetja ime.
Aleluja!
Qoftë bekuar ai që vjen - mbret - në emër të Zotit! Në qiell paqe, lavdi në më të lartin qiell! (Lk 19, 38)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 13, 31-35) (fq. 1485)
Nuk është e përshtatshme që një profeti të vdesë jashtë Jerusalemit
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 31 Jezusit iu afruan disa farisenj dhe i thanë: »Dil e ik së këndejmi se Herodi do të të vrasë!«
32 Ai u përgjigj: »Shkoni e thoni asaj dhelpre: Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj, të tretën ditë i jap fund. 33 Porse sot, nesër e pasnesër më duhet ta vazhdoj rrugën, sepse nuk ka hije që profeti të vdesë jashtë Jerusalemit.
34 Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t'i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet ... e ju nuk deshët! 35 Mirë, pra, 'shtëpia juaj do t'ju lihet juve!' Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri (që të vijë dita) të thoni: 'Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit'!
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate, që shërbesa që tani po kryejmë të jetë në nder të emrit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 19, 6
Të gëzohemi për ngadhënjimin tënd, të galdojmë për nder të emrit të Hyjit tonë!
Ose: Ef 5, 2
Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht dhe fli që jep erë të mirë.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, që sakramentet e tua të plotësojnë në ne atë që përmbajnë, kështu që, çka tani po kryejmë në shenjë, ta fitojmë në realitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.