Leximet e ditës
JAVA E XXX GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 104, 3-4
Le të galdojë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe fuqinë e tij, gjithmonë kërkoni fytyrën e tij.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe, për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Fil 1, 1-11) (fq. 1654/5)
Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
1 Pali dhe Timoteu, shërbëtorët e Krishtit Jezus: të gjithë shenjtërve në Krishtin Jezus që janë në Filipe me mbikëqyrës dhe me diakonë: 2 paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.
3 Gjithmonë, sa herë më bie ndër mend për ju, e falënderoj Hyjin tim. 4 Gjithherë e në çdo uratë që them, lutem me gëzim për ju të gjithë 5 për arsye të pjesëmarrjes tuaj në përhapjen e Ungjillit qysh prej ditës së parë e deri tani. 6 Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus.
7 Dhe është e drejtë t'i kem këto ndjenja për ju! Për të vërtetë, unë ju mbaj në zemrën time, sepse ju të gjithë jeni pjesëtarët e hirit tim e në pranga të mia e në mbroje e në përforcim të Ungjillit. 8 Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit!
9 Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, 10 që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për Ditën e Krishtit, 11 plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin ‑ për lavdi e nder të Hyjit.
Fjala e Zotit
Psalmi 111 (110), 1-2.3-4.5-6 (fq. 790)
Ref. Veprat e Zotit janë të mëdha.
1 Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në rrethin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.
2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t'u shqyrtuar prej atyre që i duan.
Ref. Veprat e Zotit janë të mëdha.
3 Stoli e shkëlqim është vepra e tij,
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.
Ref. Veprat e Zotit janë të mëdha.
5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s'e harron Besëlidhjen e vet.
6 Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta,
duke ua dhuruar pronën e paganëve.
Ref. Veprat e Zotit janë të mëdha.
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti: unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 14, 1-6) (fq. 1485)
Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. 2 Kur, qe, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi. 3 Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesve të Ligjit e farisenjve: »A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?« 4 Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkoj. 5 Atyre mandej u tha: »Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?« 6 Ata s'mundën t'i përgjigjen në këto fjalë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate, që shërbesa që tani po kryejmë të jetë në nder të emrit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 19, 6
Të gëzohemi për ngadhënjimin tënd, të galdojmë për nder të emrit të Hyjit tonë!
Ose: Ef 5, 2
Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht dhe fli që jep erë të mirë.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, që sakramentet e tua të plotësojnë në ne atë që përmbajnë, kështu që, çka tani po kryejmë në shenjë, ta fitojmë në realitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.