Leximet e ditës

JAVA E XXX GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 104, 3-4

 

Le të galdojë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe fuqinë e tij, gjithmonë kërkoni fytyrën e tij.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë dhe, për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Fil 1, 18b-26) (fq. 1655)

 

Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitim.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

 

Vëllezër, 18 në çdo rast predikohet Krishti, qoftë për qëllime të tjera, qoftë me çiltëri. Kësaj gjëje i gëzohem dhe do t'i gëzohem! 19 Sepse e di se në sajë të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Shpirtit të Jezu Krishtit kjo do të më vlejë për shëlbim, 20 sikurse pres me dëshirë të flaktë dhe shpresoj se nuk do të turpërohem për asgjë, porse me guximin tim të plotë ‑ si gjithmonë ashtu edhe tani ‑ Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha.

21 Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitim! 22 Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! 23 Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, 24 por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju.

25 Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, 26 që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 42 (41), 2.3.5cdef (fq. 704)

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

2 Sikurse dreri i dëshiron

burimet e ujërave të gjalla,

po ashtu shpirti im

të dëshiron ty, o Hyj!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

3 Shpirti im ka etje për Hyjin,

për Hyjin e gjallë:

oh, e kur do të shkoj

e do të dal para fytyrës së Hyjit?!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

5 Mallëngjehet shpirti im

si shtegtoja në krye të turmës,

me brohori e këngë lavdi

në procesion kremtues!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

Aleluja!

Merrni mbi vete zgjedhën time, thotë Zoti, pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. (Mt 11, 29ab)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 14, 1.7-11) (fq. 1485)

 

Kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: 8 »Kur ndokush të të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qe duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: 'Lëshoja vendin këtij!' Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit.10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vij ai që të ka grishur, të thotë: 'Mik, ngjitu më lart!' Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate, që shërbesa që tani po kryejmë të jetë në nder të emrit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 19, 6

 

Të gëzohemi për ngadhënjimin tënd, të galdojmë për nder të emrit të Hyjit tonë!

 

Ose: Ef 5, 2

 

Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht dhe fli që jep erë të mirë.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që sakramentet e tua të plotësojnë në ne atë që përmbajnë, kështu që, çka tani po kryejmë në shenjë, ta fitojmë në realitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.