Leximet e ditës
1 nëntor
TË GJITHË SHENJTËRIT
E kremte
Antifona e Hyrjes
Le të gëzohemi të gjithë së bashku në Zotin, dhe le ta kremtojmë këtë ditë feste në nder të të gjithë Shenjtërve: bashkë me ne në këtë festë gëzohen engjëjt, dhe e lavdërojnë Birin e Hyjit.
Thuhet Lavdi
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, Ti na dhe hirin t’i nderojmë meritat e të gjithë Shenjtërve në një festë të vetme; po të lutemi, me ndërmjetësinë e të gjithëve, na dhuro mëshirën tënde të pakufishme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 7, 2-4.9-14) (fq. 1740)
Pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe!
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
Unë Gjoni 2 pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga Lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: 3 »Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!«
4 Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, 144. 000 nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit.
9 Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. 10 Ata shpallnin me zë të lartë: »Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!«
11 Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër Gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. 12 Thoshin:
»Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!«
13 Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: »Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?« 14 Unë u përgjigja: »Imzot, ti e di!« Dhe ai më tha: »Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.
Fjala e Zotit
Psalmi 24 (23), 1bc-2.3-4ab.5-6 (fq. 682)
Ref. Kjo është breznia që kërkon fytyrën tënde, o Zot.
1 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
2Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Ref. Kjo është breznia që kërkon fytyrën tënde, o Zot.
3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
Ai që nuk e drejtoi shpirtin e vetë në kotësi,
ai që nuk betohet në rrenë.
Ref. Kjo është breznia që kërkon fytyrën tënde, o Zot.
5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
Ref. Kjo është breznia që kërkon fytyrën tënde, o Zot.
Leximi i dytë (1 Gjn 3, 1-3) (fq. 1722)
Do ta shohim Hyjin ashtu siç është.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull
Fort të dashur, 1 shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. 2 Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. 3 Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti. (Mt 11, 28)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 5, 1-12a) (fq. 1387/8)
Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!
Leximi i Ungjillit të shenjt sipas Mateut
Në atë kohë,1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
3 “Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën! 6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin. 9 Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiellore. 11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!”
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Të pëlqefshin, o Zot, dhuratat që po t’i paraqesim në nder të të gjithë Shenjtërve dhe pasi besojmë se ata kanë fituar pavdekësinë, bëj ta sprovojmë ndërmjetësinë e tyre për shpëtimin tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Prefacioni: Lavdia e Jerusalemit Qiellor
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ne sot kremtojmë qytetin tënd të shenjtë,
atdheun tonë, Jerusalemin qiellor,
ku bashkësia e vëllezërve tanë dhe motrave tona
të lavdëron për amshim.
Atje edhe ne, udhëtarë mbi tokë, vrapojmë,
të ndriçuar nga feja
dhe të gëzuar për fatin e lumtur
të këtyre gjymtyrëve të lartë të Kishës,
që Ti na i jep si ndërmjetës e shembull jete.
Dhe prandaj, bashkë me të gjithë shenjtërit e engjëjt,
po të madhërojmë dhe njëzëri këndojmë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Mt 5, 8-10
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin. Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiellit.
Lutja pas kungimit
Ty të adhurojmë, o Hyj i shenjtë dhe i shkëlqyeshëm në shenjtërit e tu; e të lutemi: na jep hirin tënd që, të shenjtëruar në plotësinë e dashurisë sate, të kalojmë prej kësaj tryeze, ku na ke pranuar si shtegtarë në gostinë e atdheut të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 519
Për Meshën kushtimore të të gjithë Shenjtërve, fq. 994