Leximet e ditës

2 nëntor

 

PËRKUJTIMI I TË GJITHË BESIMTARËVE TË VDEKUR

 

Meshët që ndjekin kremtuesi mund t’i zgjedhë sipas vullnetit[1].

Edhe kur 2 nëntori bie në ditën e diel, kremtohet Mesha e Përkujtimit të të gjithë besimtarëve të vdekur.

 

I

 

Antifona e Hyrjes Krh. 1 Sel 4, 14; 1 Kor 15, 22

 

Sikurse Jezusi vdiq dhe u ngjall, kështu Hyji edhe ata që vdiqën në Jezusin, do t’i bashkojë me të. Dhe sikurse të gjithë vdesin në Adamin, ashtu të gjithë në Krishtin do ta rifitojnë jetën.

 

Kolekta

 

Dëgjoji me mirësi, o Zot, lutjet tona, që duke besuar ngultas se Biri yt u ngjall prej të vdekurish, të forcohet shpresa jonë në ngjalljen e shërbëtorëve të tu. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

I

 

Leximi i parë (Jb 19, 1.23-27) (fq. 638)

 

E di se gjallë e kam Shpaguesin.

 

Lexim prej librit të Jobit

 

1 Atëherë Jobi e mori fjalën e tha: 23 Po të shkruheshin fjalët e mia, të shënoheshin në ndonjë libër, 24 në gur të gjallë për amshim t’u gdhendshin me daltë hekuri e me plumb! 25 E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i fundit përmbi dhe do të ngritet, 26 e pas kësaj lëkure që ma ropën në mishin tim Hyjin do ta shoh. 27 Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, për sytë e mi s’do të jetë i huaj!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 27 (26), 1.4.7-8.13-14 (fq. 685)

 

Ref. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.

Ose:

Ref. Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.

 

1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,

kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime,

para kujt do të dridhem?

 

Ref. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.

Ose:

Ref. Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.

 

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,

vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit

të gjitha ditët e jetës sime,

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit

e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Ref. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.

Ose:

Ref. Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.

 

7 Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,

ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

8 Për ty tha zemra ime: »Kërkojeni fytyrën time!

 

Ref. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.

Ose:

Ref. Zoti është drita ime dhe shëlbimi im..

 

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Ref. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.

Ose:

Ref. Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.

 

Leximi i dytë (Rom 5, 5-11) (fq. 1594)

 

Të shfajësuar me anë të gjakut të tij, do të jemi të shëlbuar nëpërmjet tij.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 5 shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.

6 Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. 7 E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë ‑ ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. 8 Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet ndaj nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. 9 E mbasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi. 10 Pra, në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! 11 Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ky është vullneti i Atit tim, që kushdo beson në Birin ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjallë në ditën e fundit. (Krh. Gjn 6, 40)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 6, 37-40) (fq. 1515)

 

Kush beson në Birin do ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë Jezusi i tha turmës: 37 Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, 38 sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.

 39 E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit.

40 Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoji me mirësi, o Zot, dhuratat tona dhe pranoji shërbëtorët e tu të vdekur në lumturi me Birin tënd, i cili na lidh të gjithë së bashku me anë të Sakramentit të dashurisë së vet, që jeton e mbretëron për të gjithë shekujt e shekujve.

 

PREFACIONI PËR TË VDEKUR – I

Shpresa e ngjalljes në Krishtin

 

78. Ky prefacion thuhet në Meshën për të vdekur.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër Të na shkëlqeu shpresa e ngjalljes së lume kështu që, edhe pse na trishton gjendja e sigurt e vdekjes, na ngushëllon premtimi i pavdekësisë së ardhshme.

Sepse besimtarëve të tu, o Zot,

jeta nuk u merret por u shndërrohet

dhe, ndërsa u shkatërrohet kjo banesë tokësore,

u çelet në qiell një banesë e amshuar.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues,

dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e Kungimit Krh. Gjn 11, 25-26

 

Unë jam ngjallja dhe jeta, thotë Zoti; kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë askurrë.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që shërbëtorët e tu të vdekur, për të cilët kemi kremtuar flinë e Pashkëve, të kalojnë në banesën e dritës e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 520

 

II

 

Antifona e Hyrjes Krh. 4 Esd 2, 34-35

 

Jepu, o Zot, pushimin e pasosur, e u ndrittë drita e pambaruar.

 

Kolekta

 

O Hyj, lumturia e besimtarëve dhe jeta e të drejtëve, Ti na ke shëlbuar me vdekjen e ngjalljen e Birit tënd, ki mëshirë për shërbëtorët e tu të vdekur, të cilët besuan në misterin e ngjalljes sonë, e bëj ta fitojnë gëzimin e lumturisë së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 25, 6a.7-9 (fq. 1000)

 

Zoti do ta zhdukë vdekjen përgjithmonë.

 

Lexim prej librit të Isaisë profet

 

Në atë ditë, 6 Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me ushqime të majmë. 7 Në këtë mal ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesen që i mbulonte të gjithë popujt. 8

Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë. 9 Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 25 (24), 6-7.17-18.20-21 (fq. 683)

 

Ref. Mos lejo, o Zot, që të turpërohet ai që shpreson në ty.

Ose:

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj shpirtin tim.

 

6 Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

7 Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate

- për hir të mirësisë sate, o Zot.

 

Ref. Mos lejo, o Zot, që të turpërohet ai që shpreson në ty.

Ose:

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj shpirtin tim.

 

17 Lehtësoji dhembjet e zemrës sime

e më nxirr nga vështirësitë e mia.

18 Shihe përvujtërimin tim dhe vuajtjen

dhe m’i fal të gjitha fajet e mia.

 

Ref. Mos lejo, o Zot, që të turpërohet ai që shpreson në ty.

Ose:

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj shpirtin tim.

 

20 Ruaje shpirtin tim dhe më shpëto;

mos lejo të turpërohem pasi jam në ndoren tënde.

21 Le të më mbrojë pafajësia dhe drejtësia,

sepse në ty e kam vënë shpresën.

 

Ref. Mos lejo, o Zot, që të turpërohet ai që shpreson në ty.

Ose:

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj shpirtin tim.

 

Leximi i dytë (Rom 8, 14-23) (fq. 1597/8)

 

E presim shpërblimin e trupit tonë.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 14 bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. 15 Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!

16 Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit.

 17 E nëse jemi fëmijë ‑ atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.

18 Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. 19 E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: 20 krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë ‑ jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi ‑ porse njëmend në shpresë. 21 Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit.

22 Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. 23 Dhe jo vetëm ajo! Por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! (Mt 25, 34)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 25, 31-46) (fq. 1420)

 

Ejani të bekuarit e Atit tim!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ose në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’

46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm, në saje të kësaj flie laj, po të lutemi, me gjakun e Krishtit, shërbëtorët e tu të vdekur prej të gjitha mëkateve dhe në saje të dashurisë sate të mëshirshme shëlbo ata që pate larë me ujin e pagëzimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI PËR TË VDEKUR – II

Krishti ka vdekur për jetën tonë

 

79. Ky prefacion thuhet në Meshën për të vdekur.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai i vetmi e pranoi vdekjen,

që ne të gjithë të mos vdesim,

madje Ai i vetmi u denjua të vdesë,

që ne të gjithë të jetojmë përherë për ty.

Dhe prandaj, të shoqëruar me koret engjëllore,

të lëvdojmë duke dëshmuar me gëzim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. 4 Esd 2, 35.34

 

Drita e pambaruar u ndrittë atyre, o Zot, bashkë me shenjtërit e tu, sepse je i mirë.

 

Lutja pas kungimit

 

U kunguam, o Zot, me sakramentin e të Njëlindurit tënd, të vdekur për ne e të ngjallur me lavdi; dhe po të lutemi për shërbëtorët e tu të vdekur, që të pastruar nga misteri i Pashkëve, të kenë pjesë në ngjalljen e ardhshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 520

 

III

 

Antifona e Hyrjes Krh. Rom 8, 11

 

Hyji që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tonë të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ne.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti bëre që i Njëlinduri Biri yt, pasi e mundi vdekjen, të kalojë në lumturinë qiellore; bëj që shërbëtorët e tu të vdekur të kenë pjesë në fitoren mbi vdekje, e të të gëzojnë gjithmonë ty, Krijuesin dhe Shëlbuesin e vet. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Urt 3, 1-9) (fq. 889)

 

Zoti i pranoi porsi fli shkrumbimi.

 

Lexim prej librit të Urtisë

 

1 Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit dhe ata s’do t’i prekë kurrfarë vështirësie e vdekjes. 2 Syve të të marrëve u dukën se vdiqën dhe kalimi i tyre nga kjo jetë u duket si ndëshkim 3 e ndarja e tyre prej nesh si një asgjësim, kurse ata janë në paqe.

4 Po edhe nëse, në sytë e njerëzve, e sprovuan ndëshkimin, shpresa e tyre ishte plot pavdekësi; 5 për një vuajtje të lehtë do të fitojnë të mira të mëdha, sepse Hyji i vuri në sprovë dhe i gjeti të denjë për vetveten. 6 I sprovoi porsi arin në furrë dhe i pranoi porsi fli shkrumbimi. 7 Ditën e pasisë së Hyjit do të shndrisin dhe do të lëvizin porsi shkëndijat në hamballë: 8 do t’i gjykojnë kombet e do t’i sundojnë popujt dhe mbi ta do të mbretërojë Zoti gjithherë. 9 Ata që shpresojnë në Të do ta kuptojnë të vërtetën, ata që janë besnikë do të pushojnë në dashuri me Të, sepse të zgjedhurit e Tij fitojnë hir e mëshirë dhe Ai do t’i vizitojë të zgjedhurit e vet.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 42 (41), 2.3.5; 42 (43),3.4 (fq. 704)

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

42,2 Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla,

po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

3 Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë:

oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!

 

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

5 Më bie ndërmend

si shtegtoja në krye të turmës,

- si prijës - drejt banesës së Hyjit

me brohori e këngë lavdi

në procesion kremtues!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

43, 3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde:

ato le të më prijnë, le të më përcjellin

në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit,

tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.

Do të galdoj, do të të këndoj me harpë,

ty, o Hyj, Hyji im!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

42,6 Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim?

Përse gjëmon në mua?

Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj,

Shëlbuesin tim, Hyjin tim.

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.

 

Leximi i dytë (Zb 21, 1-5a.6b-7) (fq. 1753/4)

 

S’do të ketë më vdekje.

 

Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull

 

Unë Gjoni, 1 pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. 2 Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet. 3 Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni:

 »Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta Hyji i tyre«. 4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekje më s’do të ketë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, sepse bota e mëparshme mori fund.

 5 Atëherë Ai që rri mbi fron tha: »Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet!«. 6 Unë jam Alfa dhe Omega! Fillimi dhe Mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap falas nga burimi i jetës. 7 Ngadhënjyesi do t’i trashëgojë këto edhe unë do të jem Hyji i tij e ai biri im.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, sepse ua zbulove të vegjëlve misteret e Mbretërisë qiellore. (Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 5, 1-12a) (fq. 1387/8)

 

Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë,1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 “Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën! 6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin. 9 Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiellore. 11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, flinë që po ta kushtojmë për të gjithë shërbëtorët e tu që pushojnë në Krishtin; bëj që kjo fli eukaristike t’ua këpusë verigat e vdekjes e të meritojnë të hyjnë në jetën e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI PËR TË VDEKUR – III

Krishti shpëtim dhe jetë

 

80. Ky prefacion thuhet në Meshën për të vdekur.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai është shpëtimi i botës, jeta e njerëzve, ngjallja e të vdekurve.

Nëpër të e adhurojnë madhërinë tënde fuqitë engjëllore

që për amshim galdojnë në praninë e fytyrës sate.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë, që, të shoqëruar në galdim, po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e Kungimit Krh. Fil 3, 20-21

 

Ne presim të vijë Shëlbuesi ynë Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm.

 

Lutja pas kungimit

 

Me anën e kësaj flie që ta kushtuam, o Zot, tregoje mëshirën tënde ndaj shërbëtorëve të tu të vdekur: në pagëzim ata e patën marrë hirin tënd; jepu edhe gëzimet e jetës së pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 520



[1] Sot çdo meshtar mund të kremtojë tri meshë, por vetëm një mund ta aplikojë lirisht me ofertë; e dyta, pa ofertë, aplikohet për shpirtrat e të gjithë të vdekurve; e treta sipas qëllimit të Papës.