Leximet e ditës
JAVA E XXXI GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje! Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi; bëj, po të lutemi, të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Fil 2, 5-11) (fq. 1656)
E përuli vetveten prandaj edhe Hyji e lartësoi.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, 5 kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: 6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s'mundet pa të, 7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. 8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. 9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër 10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë 11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë: "Jezu Krishti është Zot!" Në nder të Hyjit Atë.
Fjala e Zotit
Psalmi 22 (21), 26b-27.28-30ab.30e.31-32 (fq. 679)
Ref. Lavdi ty, o Zot, në bashkësi të shenjtërve.
26 Ndër sy të besimtarëve të tu do t'i kryej kushtet.
27 Do të hanë skamnorët e do të ngihen,
do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë:
"Rroftë zemra e tyre për amshim!'
Ref. Lavdi ty, o Zot, në bashkësi të shenjtërve.
28 Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
mbarë skajet e tokës,
do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
Ref. Lavdi ty, o Zot, në bashkësi të shenjtërve.
29 Sepse Zoti është mbret!
Ai i sundon kombet!
30 Atë, vetëm atë do ta adhurojnë
të gjithë ata që pushojnë nën dhe.
Ref. Lavdi ty, o Zot, në bashkësi të shenjtërve.
Kurse shpirti im për të do të jetojë,
31 në shërbim të tij do të jetë fara ime,
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin,
32 për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen:
»Kështu bëri Zoti!«
Ref. Lavdi ty, o Zot, në bashkësi të shenjtërve.
Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do tu çlodh, thotë Zoti. (krh. Mt 11, 28)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 14, 15-24) (fq. 1486)
'Dil në rrugë e ngjat gardheve e shtrëngo njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 15 një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi fjalët e Jezusit, tha: »Lum ai që do të marrë pjesë në gazmendin e Mbretërisë së Hyjit!
16 Jezusi i tha: "Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t'u thotë të grishurve: 'Ejani se gjithçka është gati!!' 18 Por të gjithë - si të ishin marrë vesh - zunë të përligjen: i pari tha: 'Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!' 19 I dyti tha: 'Bleva pesë pendë qe e po shkoj t'i sprovoj. Të lutem, më arsyeto! 20 I treti tha: 'U martova e prandaj s'mund të vij!'
21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha shërbëtorit të vet: 'Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!'
22 Shërbëtori i tha: 'Zotëri, si urdhërove ti u bë, por ka ende vend.' 23 E zotëria i tha shërbëtorit: 'Dil në rrugë e ngjat gardheve e shtrëngo njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.' 24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s'do ta shijojë darkën time!«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose: Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj nëpër Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot, veprimin e fuqisë sate, që të forcuar nga sakramentet e tua, të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.