Leximet e ditës

JAVA E XXXI GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 37, 22-23

 

Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje! Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi; bëj, po të lutemi, të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Fil 2, 12-18) (fq. 1656)

 

Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju të doni e të veproni.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

 

12 Të dashurit e mi, ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, qëndroni, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj. 13 Sepse Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju që të doni edhe që të veproni.

14 Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, 15 që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë, 16 duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës që të mund të mburrem në Ditën e Krishtit se nuk kam vrapuar kot dhe nuk jam munduar kot. 17 Mu, përkundrazi, edhe në qoftë se duhet që gjaku im të derdhet si fli njomëse e shërbesës hyjnore për fenë tuaj, jam i kënaqur dhe galdoj bashkë me ju. 18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe galdoni bashkë me mua!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 27 (26), 1.4.13-14 (fq. 685)

 

Ref. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im.

 

1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,

kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime,

para kujt do të dridhem?

 

Ref. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im.

 

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,

vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit

të gjitha ditët e jetës sime,

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit

e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Ref. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im.

 

13 Besoj se do t'i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Ref. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im.

 

Aleluja!

Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju. (1 Pjt 4, 14)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 14, 25-33) (fq. 1486)

 

Secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 25 një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me Jezusin. Ai u kthye kah ata dhe u tha: 26 »Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t'i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë - të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: 'Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!' 31 Ose - cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t'i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 15, 11

 

O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate.

 

Ose: Gjn 6, 58

 

Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj nëpër Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot, veprimin e fuqisë sate, që të forcuar nga sakramentet e tua, të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.