Leximet e ditës
JAVA E XXXI GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje! Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi; bëj, po të lutemi, të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Fil 3, 17-4, 1) (fq. 1658)
E presim si Shëlbues Jezu Krishtin
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, (17 më përngjani mua, dhe vëreni ata që jetojnë sipas shembullit që keni në ne. 18 Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! 19 Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në trup ‑ ata mendojnë vetëm gjërat tokësore.) 20 Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. 21 Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka
4, 1 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, ‑ qëndroni të fortë në Zotin.
Fjala e Zotit
Psalmi 122 (121), 1-2.3-4ab.4cd-5 (fq. 807)
Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.
1 Sa u gëzova kur më thanë:
" Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!"
2 Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.
3 O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një cope të vetme je!
4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.
Sipas rregullores në Izrael
për të kremtuar Emrin e Zotit.
5 Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit.
Ref. Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit.
Aleluja!
Ai që e mban fjalën e Jezu Krishtit, në të është vërtetisht e përsosur dashuria e Hyjit. (krh. 1 Gjn 2, 5a)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 16, 1-8) (fq. 1488)
Bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqshme se bijtë e dritës.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi, 1 u thoshte nxënësve të vet: »Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 2 E thirri dhe i tha: 'Ç'po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t'i s'mund të jesh më mbarështues.'
3 Atëherë mbarështuesi tha në vetvete: 'Çka të bëj mbasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih...? Nuk mund! Të dal e të lyp...? Më vjen turp! 4 E di ç'do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të qitem prej mbarështimit.'
5 Atëherë thirri një nga një detyruesit e zotërisë së vet. E pyeti të parin: 'Sa i ke detyrë zotërisë tim?' 6 Ai u përgjigj: 'Një qind masë vaj.' Mbarështuesi i tha: 'Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!' 7 Pastaj e pyeti të dytin: 'Po ti sa ke detyrë?' Ai i tha: 'Një qind kora grurë.' I tha mbarështuesi: 'Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!'
8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose: Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj nëpër Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot, veprimin e fuqisë sate, që të forcuar nga sakramentet e tua, të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.