Leximet e ditës

JAVA E XXXI GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 37, 22-23

 

Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje! Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi; bëj, po të lutemi, të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Fil 3, 3-8a) (fq. 1657)

 

Të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

 

Vëllezër, 3 ne jemi të rrethprerët "e vërtetë", ne që në Shpirtin e Hyjit kryejmë shërbesën hyjnore dhe mburremi në Krishtin Jezus dhe nuk shpresojmë në trup.

4 Megjithatë, unë do të mund të shpresoja edhe në trup, sepse, në mendoftë ndokush se ka arsye të shpresojë në trup ‑ unë edhe më tepër! 5 I rrethprerë të tetën ditë, izraelas me kombësi, nga fisi i Beniaminit, hebre prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise; 6 për kah zelli, salvues i Kishës e, për sa i përket drejtësisë ‑ asaj të Ligjit ‑ i patëmetë.

7 Por të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. 8 Madje unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 105 (104), 2-3.4-5.6-7 (fq. 778)

 

Ref. Le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

 

2 Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të Zotit,

kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!

3 Mburruni me Emrin e tij të shenjtë:

le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

 

Ref. Le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

 

4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,

kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!

5 T'ju bien në mend mrekullitë që bëri,

mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij.

 

Ref. Le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

 

6 Ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,

ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!

7 Ai është Zoti, Hyji ynë,

mbi mbarë tokën gjyqet e tija!

 

Ref. Le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

 

Aleluja!

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do tu çlodh, thotë Zoti. (krh. Mt 11, 28)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 15, 1-10) (fq. 1486/7)

 

Do të ketë shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët nynykatnin: »Ky i pranon mëkatarët - thoshin - dhe po ha me ta.«

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 »Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? 5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: 'Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.' 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s'kanë nevojë të kthehen.

8 »Ose - cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjët dhe u thotë: 'Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.' 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 15, 11

 

O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate.

 

Ose: Gjn 6, 58

 

Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj nëpër Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot, veprimin e fuqisë sate, që të forcuar nga sakramentet e tua, të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.