Leximet e ditës

JAVA E XXXII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3

 

Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Urt 6, 12-16) (fq. 892)

 

Urtia gjendet prej atyre qe e kërkojnë.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

 

12 Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet, dhe ata që e duan, e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. 13 U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre. 14 Kush ngrihet herët për ta kërkuar s’do të lodhet, do ta gjejë ndenjur para derës së vet.

15 Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejtë do të jetë i sigurt. 16 Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 63 (62), 2.3-4.5-6.7-8 (fq. 726)

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

2 O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

3 Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

4 Sepse më e mire është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

5 Kështu do të të bekoj në jetën time

e në Emrin tënd do t'i lartësoj duart e mia,

6 do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

7 Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,

në përgim natën do të mendoj për ty,

8 sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.

 

Leximi i dytë (1 Sel 4, 13-18) forma e shkurtër 1 Sel 4, 13-14 (fq. 1668)

 

Ata që vdiqën, Hyji do t’i marrë në lumturi nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

 

13 Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. 14 E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t’i marrë në lumturi.

(15 Këtë po jua themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në Ditën e Ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. 16 Sepse vetë Zoti kur të jepet urdhri, në zë të Kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, 17 dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. 18 Pra, ngushëlloni njëri-tjetrin me këto fjalë!)

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Rrini zgjuar, rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni. (Mt 24, 42a.44)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 25, 1-13) (fq. 1419)

 

Ja, dhëndëri! Dilni përpara!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tregoj nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. 3 Tashti, këto të marrat, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. 5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë të marrat u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera.

11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2

 

Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.

 

Ose: Lk 24, 35

 

Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.

 

Lutja pas kungimit

 

Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.