Leximet e ditës
9 nëntor
NË PËRKUSHTIMIN E BAZILIKËS LATERANE
Festë
Antifona e Hyrjes Krh. Zb 21, 2
E pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet.
Ose: Krh. Zb 21, 3
Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz dhe ata do të jenë populli i tij, dhe vetë Hyji do të jetë Hyji i tyre.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti zgjedh gurë të gjallë për të ndërtuar banesën e amshueshme të lavdisë sate, jepi me begati Kishës sate frytet e Shpirtit Shenjt që ia ke dhuruar, që populli yt besimtar vazhdimisht të ndërtohet në Jerusalemin qiellor. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Ose:
O Hyj, Ti deshe që Kisha jote të quhet nuse; bëj që populli që i shërben emrit tënd, të të adhurojë, të të dojë, të të ndjekë ty dhe, nën udhëheqjen tënde, t’i arrijë premtimet e tua qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 47, 1-2.8-9.12) (fq. 1163)
E pash ujin duke dalur nga tempulli, dhe të gjithë tek të cilët arriti ky ujë, u shpëtuan.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
22 Në ato ditë (një njeri, pamja e të cilit ishte si të ishte kallaji): 1 më ktheu te hyrja e Tempullit dhe, ja, buronte ujët për nën pragun e Tempullit në lindje, sepse ballaniku i Tempullit ishte në krahun e lindjes, kurse ujët rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit, në anën jugore të lterit. 2 Atëherë më priu në derën e veriut e më priu rreth e rreth përjashta në daljen e jashtme që shikon në lindje: dhe, ja, uji buronte në krahun e djathtë! 8 E më tha: »Ky ujë rrjedh në krahinën e lindjes, zbret në Arabë e derdhet në det: në ujë të kripur dhe e shëron ujët. 9 Çdo gjë e gjallë, që lëviz, kudo të arrijë burimi, do të jetojë; do të ketë shumë peshq, sepse, kudo që arrin ky ujë, gjithçka përtërihet në jetë e shërohet - kudo kalon ky përrua. 12 Përmbi përrua, në të dy anët, në brigjet e tija, do të rritet çdo lloj peme: gjethet s’do t’u bien e frutat nuk do t’u mungojnë: çdo muaj do të japin fruta të reja, sepse ujët u vjen nga Shenjtërorja. Frutat do t’u jenë për ushqim e gjethet do të përdoren për barna.«
Fjala e Zotit
Psalmi 46 (45), 2-3.5-6.8-9 (fq. 709)
Ref. Një lum e gëzon qytetin e Hyjit.
2 Hyji është për ne strehim dhe fuqi,
ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.
3 Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!
Ref. Një lum e gëzon qytetin e Hyjit.
5 Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit,
tendat e shenjta të të Lartit Zot.
6 Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë,
Hyji i ndihmon herët në agim.
Ref. Një lum e gëzon qytetin e Hyjit.
8 Zoti i Ushtrive është me ne,
strehimi ynë, Hyji i Jakobit!
9 Ejani e shikoni veprat e Zotit
- mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!
Ref. Një lum e gëzon qytetin e Hyjit.
Leximi i dytë (1 Kor 3, 9c-11.16-17) (fq. 1610/1)
Ju jeni ndërtesa e Hyjit.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejuar Korintanëve
Vëllezër, 9 ju jeni ndërtesa e Hyjit.
10 Sipas hirit që Hyji ma ka dhënë, unë, porsi arkitekt i mirë, vura themelin, një tjetër vazhdon me mur mbi të; por secili t’ia vërë mendjen si mbimuron.11 Sepse, askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti.
16 Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? 17 Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë - e ky Tempull jeni ju!
Fjala e Zotit
Aleluja!
Unë e zgjodha dhe e shugurova këtë shtëpi që të banojë në të përgjithmonë Emri im. (2 Kro 7, 16)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 2, 13-22) (fq. 1507/8)
Jezusi foli për tempullin e trupit të vet.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem.
14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe thyes të të hollash duke ndenjur aty. 15 Atëherë e punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Thyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 16 Shitësve të pëllumbave u tha: »Hiqni këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!« 17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë: »Zelli për Shtëpinë tënde më bren!«
18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën: »Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?« 19 Jezusi u përgjigji: »Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!« 20 »Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli - i përgjigjen judenjtë - e ti do ta ndërtosh për tri ditë?« 21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. 22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.
Fjala e Zotit
Ose:
Leximi i parë (1 Mbr 8, 22-23.27-30) (fq. 410)
Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, o Zot.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në ato ditë, 22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtiru duart e tij drejt qiellit 23 dhe tha "O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besëlidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër.
27 Dhe njëmend a mund të merret me mend se Hyji banon mbi toke me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova! 28 Por, vëri veshin uratës së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tij o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe uratën që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! 29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: 'Këtu do të jetë Emri im!' Dëgjoje uratën që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend!"
30 "Denjohu ta plotësosh uratën e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me uratë në këtë vend. Dëgjo prej vendit ku banon, prej qiellit: dëgjo e fal!
Fjala e Zotit
Psalmi 95 (94) (fq. 768)
Ref. Ejani ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë.
1 Ejani t'i këndojmë Zotit,
t'i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
2 T'i dalim para me falënderje,
t'i këndojmë këngë hareje!
Ref. Ejani ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë.
3 Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti,
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
4 Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës,
të tijat janë edhe majat e maleve,
5 i tiji është deti - ai e krijoi,
duart e tij e formuan tokën.
Ref. Ejani ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë.
6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
në jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.
Ref. Ejani ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë.
Leximi i dytë (1 Pjt 2, 4-9) (fq. 1711)
Jeni të zgjedhur që si gurë të gjallë të ndërtoni shtëpi shpirtërore.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull
Fort të dashur, 4 afrohuni Atij - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, 5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
6 Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: »Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!« 7 Për ju, pra, që besoni - nder; kurse për ata që nuk besojnë - gur që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit.«
8 E: »Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.« Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar. 9 Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Ja, po vjen koha - e tani është, thotë Zoti, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë (Gjn 4, 23)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 4, 19-24) (fq. 1506)
Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë Samaritanja i tha Jezusit, 19 »Zotëri po shoh se je profet. 20 Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet të bëhet adhurimi.«
21 Jezusi i tha: »Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal as në Jerusalem. 22 Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. 23 Por po vjen koha - e tani është! – kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon shi adhurues të tillë. 24 Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.«
Fjala e Zotit
Kur kjo festë bie ditën e diel, thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë që po ta kushtojmë dhe bëj që ata, të cilët të luten në këtë shenjtërore, ta fitojnë fuqinë e këtij sakramenti dhe plotësimin e dëshirave të veta. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Prefacioni: Misteri i Kishës
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ty të pëlqeu të banosh në këtë shtëpi urate
që, me ndihmën e vazhdueshme të hirit tënd,
të bëhemi Tempulli i Shpirtit Shenjt,
që shndrit prej shkëlqimit të jetës së shenjtë.
Dita ditës Ti e shenjtëron Kishën, Nusen e Krishtit,
së cilës kishat tona këtu poshtë i janë shëmbëllesë,
derisa ajo të hyjë në lumturinë e qiellit,
e lume si nëna që qiti në dritë një shumicë të madhe fëmijësh.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e Kungimit Krh. 1 Pjt 2, 5
Si gurë të gjallë ndërtohuni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë.
Lutja pas kungimit
O Hyj, Ti deshe që Kisha jote këtu mbi tokë të jetë për ne shenja e Jerusalemit të qiellit; bëj, po të lutemi, që edhe ne, në fuqi të pjesëmarrjes në sakramentin e kungimit, të bëhemi Tempulli i hirit tënd, e të hyjmë një ditë në banesën e lavdisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.