Leximet e ditës

JAVA E XXXII GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3

 

Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (3 Gjn 5-8) (fq. 1728)

 

Pranoni vëllezërit që të jemi bashkëpunëtorë të së Vërtetës.

 

Lexim prej Letrës së tretë të Shën Gjonit apostull

 

5 Fort i dashur Gaj, vepro porsi besimtar i vërtetë në gjithçka që bën për të mirën e vëllezërve, madje edhe për të huaj.

6 Ata e dëshmuan dashurinë tënde para Kishës dhe do të bësh mirë nëse u jep çka lypet për udhëtim në mënyrë të denjë para Hyjit. 7 Sepse për dashuri të Emrit të Jezusit e morën rrugën pa marrë farë ndihme prej paganëve.

8 Ne e kemi për detyrë t'i pranojmë njerëzit e tillë që të jemi bashkëpunëtorë të së Vërtetës.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 112 (111), 1-2.3-4.5-6 (fq. 790)

 

Ref. Lum ai njeri që e druan Zotin.

 

Lum ai njeri që e druan Zotin,

që kënaqet në urdhërimet e tija.

2 Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë,

do të bekohet breznia e të drejtëve.

 

Ref. Lum ai njeri që e druan Zotin.

 

3 Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij,

drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

4 Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:

i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.

 

Ref. Lum ai njeri që e druan Zotin.

 

5 I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,

punët e veta i kryen me ndërgjegje,

6 ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.

Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti,

 

Ref. Lum ai njeri që e druan Zotin.

 

Aleluja!

Hyji na grishi në fe më anë të Ungjillit, që ta fitojmë lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit. (krh. 2 Sel 2, 14)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 18, 1-8) (fq. 1491)

 

Hyji do t'i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, Jezusi 1 u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. 2 Ai tha: »Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. 3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: 'Më mbro prej kundërshtarit tim!' 4 Por ai s'qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vete më vete: 'Edhe pse s'e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore.'« 6 Zotëria vazhdoi: »Dëgjoni ç'thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t'i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 5 Unë po ju them: do të ngritet me nxitim për t'u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2

 

Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.

 

Ose: Lk 24, 35

 

Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.

 

Lutja pas kungimit

 

Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.