Leximet e ditës
JAVA E XXXIII GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Fu 31, 10-13.19-20.30-31) (fq. 862/3)
Gruaja e përsosur punon me dëshirë me duart e veta.
Lexim prej Librit të Fjalëve të urta
10 Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. 11 Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t'i mungojë. 12 Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. 13 Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. 19 Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. 20 Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrinë dorën të mjerëve. 30 Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! 31 Le t'i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj!
Fjala e Zotit
Psalmi 128 (127), 1-2.3.4-5 (fq. 810)
Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.
1 Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija.
2 Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh!
Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.
3 Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.
4 Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin!
5 Të bekoftë Zoti prej Sionit
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.
Leximi i dytë (1 Sel 5, 1-6) (fq. 1668)
Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, 1 përsa i përket kohës dhe momentit, as nuk është nevoja t'ju shkruaj, 2 sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. 3 Ndërsa njerëzit do të thonë: "Ç'paqe dhe ç'siguri!", shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.
4 Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t'ju vijë me befasi porsi vjedhësi: 5 sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! 6 Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë!
Fjala e Zotit
Aleluja!
Banoni në mua edhe unë në ju, thotë Zoti; kush mbetet në mua ai jep shumë fryt. (Gjn 15, 4a.5b)
Aleluja!
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Ungjilli (Mt 25, 14-30 Forma e shkurtër 25,14-15.19-21) (fq.1419/20)
U dëftove besnik në sende të vogla, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 14 »Një Njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim. (16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehi paranë e zotërisë së vet.) 19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i qiti para edhe pesë tjerë e tha: 'Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.'
21 I përgjigji zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëjë të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!' (22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: 'Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy tjerë që i fitova!' 23 I përgjigji zotëria i tij: 'Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëjë të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!'
24 Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: 'Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!' 26 Zotëria i tij i përgjigji me këto fjalë: 'Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s'mbolla, mbledh ku nuk hodha, 27 prandaj të është dashur ta shtish paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta!
29 Sepse, atij që ka do t'i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo pakicë që ka! 30 E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!'«)
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 72, 28
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
Ose Mk 11, 23-24
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja e kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.