Leximet e ditës
JAVA E XXXIII GJATË VITIT
E MARTË - Më poshtë Shën Elizabeta e Hyngarisë
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 3, 1-6.14-22) (fq. 1736/7)
Nëse ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
Lexim prej Librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni dëgjova zërin që më tha: 1 Shkruaj edhe engjëllit të Kishës në Sard: 'Kështu thotë Ai që ka shtatë shpirtrat e Hyjit dhe shtatë yjet: I di veprat e tua: thuhet se jeton, por je i vdekur! 2 Rri zgjuar dhe forcoje tepricën që posa nuk ka vdekur! Sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosura para Hyjit tim.3 Të bie në mend, pra, si e ke marrë fjalën dhe e ke dëgjuar, ashtu edhe ruaje - dhe kthehu! Po nuk qëndrove zgjuar, do të vij si vjedhësi dhe nuk do të dish në ç'orë do të vij kundër teje. 4 Megjithatë i ke në Sard disa njerëz që nuk i përlyen petkat e veta. Ata do të më përcjellin të veshur me petka të bardha, sepse janë të denjë. 5 Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbartë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej Librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij. 6 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave."
14 Shkruaj edhe engjëllit të Kishës në Laodice: "Kështu thotë Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë, Fillimi i krijesës së Hyjit. 15 I di veprat e tua: nuk je as i ftohtë as i nxehtë! Oh, të ishe i ftohtë ose i nxehtë! 16 Por, pasi je i vakët - as i ftohtë as i nxehtë - do të vjell prej gojës sime! 17 Dhe mbasi thua: "Jam i pasur! U bëra pasanik! Asgjë nuk më mungon!" e, mbasi nuk di se je i mjerë, i ngratë, skamnor, i verbët, i zhveshët, 18 po të këshilloj: blej prej meje ar të pastruar në zjarr që të pasurohesh, blej petka të bardha që të vishesh dhe të mos shihet turpi i cullakisë sate; blej edhe barin për të lyer sytë që të shohësh! 19 Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu! 20 Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj tek ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua. 21 Ngadhënjyesin do ta vë të rrijë me mua në fronin tim, sikurse edhe vetë ngadhënjeva dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij. 22 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!"
Fjala e Zotit
Psalmi 15 (14), 2-3a.3bc-4ab.5 (fq. 671)
Ref. Do të na pranosh , o Zot, në gëzimin e mbretërisë sate.
1 O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde?
2 Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën.
Ref. Do të na pranosh , o Zot, në gëzimin e mbretërisë sate.
3 Që s'i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s'e dëmton, që shokun nuk e çnderon:
4 ai që bakeqin e mban për asgjë
e i çmon ata që e druajnë Zotin'.
Ref. Do të na pranosh , o Zot, në gëzimin e mbretërisë sate.
5 Nuk jep të holla me kamatë
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
Ref. Do të na pranosh , o Zot, në gëzimin e mbretërisë sate.
Aleluja!
Hyji na deshi i pari dhe e dërgoi Birin e vet për të na liruar prej mëkateve tona. (krh. 1 Gjn 4, 10b)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 19, 1-10) (fq. 1492)
Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 1 Jezusi hyri në Jerihon dhe po kalonte nëpër qytet. 2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.
5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: »Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!« 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: »Ktheu të rrijë te një mëkatar!« 8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: »Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!« 9 Atëherë Jezusi i tha: »Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.! 10 Sepse, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 72, 28
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
Ose Mk 11, 23-24
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja e kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
17 nëntor
Shën Elizabeta e Hungarisë, rregulltare
Përkujtim
Antifona e hyrjes Krh. Mt 25, 34.36.40
Ejani të bekuarit e Atit tim, thotë Zoti; isha i sëmurë e erdhët të më shihni. Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.
Kolekta
O Hyj, Ti ia dhe hirin shën Elizabetës ta njohë dhe ta nderojë Krishtin në skamnorët, bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, t’u shërbejmë me dashuri të palodhshme atyre që kanë nevojë dhe vuajnë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Gjn 3, 14-18) (fq. 1723)
Mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!
Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull
Bijë të mi, 14ne e dimë se kemi kaluar prej vdekjes në jetë, për arsye se i duam vëllezërit. Kush nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. 15 Kushdo e urren të vëllanë, është vrastar. Dhe mirë e dini se asnjë vrastar nuk e ka në vetvete jetën e pasosur.
16 Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër. 17 Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të?
18 Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!
Fjala e Zotit
Psalmi 34 (33), 2-3.4-5.6-7.8-9.10-11 (fq. 693)
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tij.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
10 Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,
s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
11 Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
Aleluja!
Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: Duani njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha juve. (Gjn 13, 34)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 27-38) (fq. 1469)
Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 27 »Por po ju them juve që më dëgjoni: 'Duani armiqtë tuaj, bëni mirë atyre që ju urrejnë, 28 bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë'. 29 Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe të tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! 30 Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos kërko ta kthejë! 31 Si dëshironi t'ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëni edhe ju atyre!
32 Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. 33 Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. 34 E në qoftë se u huazoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t'ju kthejnë, ç'shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huazojnë mëkatarëve, por që t'u kthehet aq sa dhanë. 35 Por ju duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoni pa pritur se do t'ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve. 36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.«
37 »Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t'ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t'ju jepet nën sjetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t'ju matet edhe juve në kthim.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, kushtet e popullit tënd, e bëj që ne, të cilët po e përsërisim veprën e dashurisë së pakufishme të Birit tënd, sipas shembullit të shën të shën Elizabetës, të forcohemi në dashurinë për ty dhe për të afërmin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI PËR SHENJTËRESHA VIRGJRA DHE PËR SHENJTËR RREGULLTARË
Vështrimi i jetës së kushtuar Hyjit
71. Ky prefacion thuhet në të kremte dhe festa të shenjtëreshave virgjra dhe të shenjtërve rregulltarë. Mund të thuhet edhe në përkujtimet e tyre.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse në shenjtërit që iu kushtuan Krishtit
për shkak të Mbretërisë qiellore,
ne kremtojmë provaninë tënde të mrekullueshme,
me të cilën njeriun e grish në shenjtërinë e parë
dhe bën që ai, qysh tani, t’i shijojë dhuratat
që do t’i gëzojë në botën e re.
Dhe prandaj, bashkë me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Krh. Gjn 15, 13
Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është të japë jetën e vet për miqtë e vet.
Ose: Krh. Gjn 13, 35
Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me misteret e shenjta, na ndihmo, o Zot, t’i ndjekim shembujt e shën Elizabetës, që të nderoi ty me dashuri të palodhshme dhe e shkriu jetën për të mirën e popullit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Ose:
Na ushqeve, o Zot, me sakramentin e shpëtimit e po i lutemi mirësisë sate: bëj t’i përngjajmë dashurisë së shën Elizabetës, për të pasur pjesë në lumturinë e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.