Leximet e ditës

JAVA E XXXIII GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14

 

Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Zb 5, 1-10) (fq. 1738)

 

Qe prerë Qengji dhe me gjakun vet na shpërbleu.

 

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

 

Unë Gjoni pashë: 1 Në dorën e djathtë të Atij që rri në fron një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.

2 Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të madh: "Kush është i denjë ta hapë librin dhe t'ia zgjidhë vulat?" 3 Dhe askush, as në qiell, as në tokë, as në Nëntokë nuk ishte i zoti ta çelë librin e të shikojë në të.4 Atëherë unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet asnjë i denjë ta hapë librin e të shikojë në të. 5 Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha: "Mos qaj! Ja, ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës - rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tija."

6 Atëherë vura re: në midis të fronit dhe të katër Gjallorëve, në midis të udhëheqësve, qëndronte - si i prerë - Qengji, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Hyjit të dërguar në mbarë tokën.

7 Ai u afrua për të marrë librin prej të djathtës së Atij që rri në fron. 8 Kur e mori librin katër Gjallorët e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, domethënë me urata të shenjtërve. 9 Këndonin një këngë të re dhe thoshin:

"Ti je i denjë ta marrësh librin dhe t'ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie, 10 dhe i bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë."

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 149, 1b-2.3-4.5-6a.9b (fq. 829)

 

Ref. Na bëre, o Hyj, mbretëri priftërinjsh.

 

1 Këndoni Zotit një këngë të re,

këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!

2 Le t'i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet,

bijtë e Sionit t'i brohorisin Mbretit të vet!

 

Ref. Na bëre, o Hyj, mbretëri priftërinjsh.

 

3 Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle,

le t'i bien në nder të tij tupanit e citarës,

4 sepse Zoti kënaqet në popullin e vet,

të përvujtët i nderon me shëlbim.

 

Ref. Na bëre, o Hyj, mbretëri priftërinjsh.

 

5 Le të galdojnë të drejtët në lumturi,

le të brohorisin nga shtrojat e veta!

6 E paçin lavdinë e Zotit në gojë,

- 9 Ky është nder për të gjithë besnikët e tij.

 

Ref. Na bëre, o Hyj, mbretëri priftërinjsh.

 

Aleluja!

Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (krh. Ps 95, 8ab)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 19, 41-44) (fq. 1494)

 

O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 41 kur Jezusi u afrua Jerusalemit dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha:

»O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu!

43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s'do ta lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e çmove kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 72, 28

 

Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.

 

Ose Mk 11, 23-24

 

Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.

 

Lutja e kungimit

 

E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.