Leximet e ditës

JAVA E XXXIII GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14

 

Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Zb 10, 8-11) (fq.1742/3)

 

E mora librin dhe e hëngra.

 

Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

 

Unë Gjoni 8 dëgjova nga qielli zërin i cili foli rishtas me mua e tha: »Shko e merre librin e hapur prej dorës së engjëllit që qëndron mbi det dhe mbi tokë«.

9 U afrova dhe e luta engjëllin të ma japë librezën. Ai më tha: »Merre dhe haje! Barkun do të ta prishë, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti«.

10 E mora librezën nga dora e engjëllit dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalti, por, pasi e hëngra, m’u prish barku. 11 Atëherë më qe thënë: »Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër!«

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 14.24.72.103.111.131 (fq. 797)

 

Ref. Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua.

 

14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua

se pasurisë tejet të madhe.

24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,

rregulloret e tua këshilltarët e mi.

 

Ref. Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua.

 

72 Më i mirë është për mua Ligji yt

se me mijëra monedha ari e argjendi.

103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua,

më të ëmbla se mjalti për gojën time.

 

Ref. Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua.

 

111 Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm,

janë kënaqësia e shpirtit tim.

131 Hap gojën e marr frymë

i mallëngjyer për porositë e tua.

 

Ref. Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua.

 

Aleluja!

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti: unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 19, 45-48) (fq. 1494)

 

Ju e bëtë shtëpinë time shpellë cubash!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

45 Kur hyri në Tempull, Jezusi zuri t’i dëbojë jashtë shitësit. 46 U tha: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi urate e ju e bëtë shpellë cubash!’“

47 Çdo ditë mësonte në Tempull. Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta vritnin, gjithashtu edhe krerët e popullit 48 por s’i gjetën assesi mënyrën, sepse mbarë populli e dëgjonte i rrëmbyer prej fjalëve të tij.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 72, 28

 

Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.

 

Ose Mk 11, 23-24

 

Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.

 

Lutja e kungimit

 

E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.