Leximet e ditës
JAVA E XXXIII GJATË VITIT
E SHTUNË - Më poshtë - Kushtimi i Shën Marisë Virgjër
Antifona e hyrjes Jer 29, 11.12.14
Synimet e mia, thotë Zoti, janë synime paqeje e jo mjerimi. Më thërritni në ndihmë dhe unë do t’ju dëgjoj, do të bëj që të marrë fund skllavëria juaj.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të të shërbejmë ty, autorit të të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 11, 4-12) (fq. 1743)
Këta dy profetë i munduan banuesit e tokës.
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull
Mua Gjonit më qe thënë: 4 «Ja dy dëshmitaret e mi. Ata janë dy ullinj dhe dy shandanë që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut. 5 Nëse ndokush do t’u bëjë keq, nga goja e tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre. Për të vërtetë, nëse ndokush do t’i dëmtojë, do të mbarojë në këtë mënyrë!
6 Këta kanë pushtet ta mbyllin qiellin të mos bjerë shi në ditët kur ata profetizojnë; gjithashtu kanë pushtet ta shndërrojnë ujin në gjak dhe të sjellin mbi dhe çdo plagë, sa herë të duan.
7 Kur ta kryejnë dëshmimin e vet, Egërsira që del nga Humnera, do të bëjë luftë me ta, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.
8 Kufomat e tyre do të rrinë mbi dhe në tregun e qytetit të madh që simbolikisht quhet Sodoma dhe Egjipti, ku edhe Zotëria i tyre qe kryqëzuar.
9 Njerëzit prej të gjithë popujve, prej të gjitha fiseve, prej të gjitha gjuhëve dhe prej të gjitha kombësive do t’i shikojnë kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë; nuk do të lejojnë të varrosen kufomat e tyre. 10 Banuesit e tokës do të gëzohen dhe do të galdojnë për të keqen e tyre dhe njëri-tjetrit do t’i ndajnë dhurata, sepse këta dy profetë i munduan banuesit e tokës.
11 Por pas tri ditësh e gjysmë, shpirti që sjell jetën, i ardhur prej Hyjit, hyri në ta dhe ata u ngritën në këmbë. Atëherë një frikë e madhe i kapi të gjithë ata që i shihnin. 12 Dëgjuan një zë të madh që prej qiellit u thoshte profetëve: »Ngrituni këtu!« Ata përmbi re u ngritën në qiell në sy të armiqve të vet.
Fjala e Zotit
Psalmi 144 (143), 1.2.9-10 (fq. 823)
Ref. Ti, o Zot, je ndihma ime dhe shëlbimi im.
1 Qoftë bekuar Zoti, shkëmbi im
që m’i mëson duart për luftim
e gishtërinjtë për luftë.
Ref. Ti, o Zot, je ndihma ime dhe shëlbimi im.
2 Dashuria ime dhe kështjella ime,
strehimi im dhe çlirimtari im,
shqyti im pas të cilit fshihem,
ai që popujt i vë nën sundimin tim.
Ref. Ti, o Zot, je ndihma ime dhe shëlbimi im.
9 O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re,
për ty do të luaj në lirë me dhjetë telash,
10 sepse mbretërve ti u jep fitoren,
e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd.
Ref. Ti, o Zot, je ndihma ime dhe shëlbimi im.
Aleluja!
Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit (2 Tim 1, 10)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 20, 27-40) (fq. 1495)
Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 27 Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: 28 “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. 29 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. 30 Edhe i dyti 31 edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatit nuk lanë fëmijë e vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e cilit do të jetë, sepse të shtatit e patën grua?”
34 Jezusi u përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. 35 Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. 36 Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit. 37 E se të vdekurit do të ringjallen vetë Moisiu e shënoi në fragmentin ‘mbi kaçubën’, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit.’ 38 Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”
39 Atëherë disa skribë u përzinë në bisedë e thanë: “Mësues, mirë the!” 40 S’patën më guxim të rragaten me të për asgjë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që dhurata, të cilën po ta kushtojmë, të na nxjerrë hirin e përkushtisë dhe të na fitojë frytin e lumturisë së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 72, 28
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim.
Ose Mk 11, 23-24
Përnjëmend po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se do t’ju jepet, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja e kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e kungimit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që sakramenti të cilin Biri yt na urdhëroi ta kremtojmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
21 nëntor
Kushtimi i Shën Marisë Virgjër
Përkujtim
Përbashkorja e shën Marisë Virgjër (fq. 749)
Antifona e Hyrjes
E lumja ti, o Virgjëra Mari, që e mbarte në kraharor Krijuesin e gjithësisë; ti e qite në dritë Atë që të krijoi dhe mbetesh virgjër për amshim.
Kolekta
O Zot, duke kremtuar me nderim përkujtimin e shën Marisë Virgjër, të lutemi që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, të kemi pjesë në plotësinë e hirit tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zak 2, 14-17) (fq. 1295/6)
Gëzo e galdo, bija e Sionit, sepse, ja, unë po vij.
Lexim prej Librit të Zakarisë profet
14 Gëzo e galdo, bija e Sionit, sepse, ja, unë po vij e do të banoj në ty, - thotë Zoti.
15 Atë ditë popuj të shumtë do t’i mbështeten Zotit e do të jenë populli i tij. Do të banoj në mesin tënd e do ta kuptosh se Zoti i Ushtrive më dërgoi te ti.
16 Juda prapë do të bëhet prona e Zotit - pjesa e tij mbi Tokën e shenjtë, do ta zgjedhë rishtas Jerusalemin.
17 Çdo i vdekshëm të heshtojë para Zotit, sepse u zgjua nga banesa e tij e shenjtë!«
Fjala e Zotit
Psalmi (Lk 1, 46-47.48-49.50-51.52-53.54-55) (fq. 1459/60)
Ref. Zoti e kujtoj mëshirën e tij.
46 “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.
Ref. Zoti e kujtoj mëshirën e tij.
48 Sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.
49 Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Ref. Zoti e kujtoj mëshirën e tij.
50 Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve.
Ref. Zoti e kujtoj mëshirën e tij.
52 I rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
Ref. Zoti e kujtoj mëshirën e tij.
54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim.”
Ref. Zoti e kujtoj mëshirën e tij.
Aleluja!
Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri. (krh. Lk 11, 28)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 12, 46-50) (fq. 1400/1)
E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha: Ja, nëna ime e vëllezërit e mi!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë derisa Jezusi 46 ende po i fliste turmës, përjashta prisnin nëna e tij e vëllezërit dhe po e kërkonin të flisnin me të.
47 Dikush i tha: [»Shih! Nëna jote dhe vëllezërit e tu presin jashtë dhe dëshirojnë të flasin me ty.«]
48 Ai i përgjigji atij që e lajmëroi: »Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?« 49 E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha: »Ja, nëna ime e vëllezërit e mi! 50 Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.«
Fjala e Zotit
Ose:
Leximi i parë (Zak 2, 10-13) (fq. 1295/6)
Kush t’ju prekë ju, prek beben e syrit tim!
Lexim prej Librit të Zakarisë profet
10 »Hej, hej! Ikni nga toka e Veriut - thotë Zoti - sepse unë ju pata tretur në katër erërat e qiellit - thotë Zoti - . 11 O Sion, ku e lë, ik ti që banon te bija e Babilonit! 12 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Lavdia e të cilit më dërgoi ndër popuj, të cilët ju patën rrëmbyer: Kush t’ju prekë ju, prek beben e syrit tim! 13 Ja, unë po e lartësoj dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen preja e skllevërve të vet! »Kështu do ta kuptoni se më ka dërguar Zoti i Ushtrive.
Fjala e Zotit
Psalmi 45 (44) (fq. 708)
Ref. Me gëzim do të rri në praninë e Zotit.
11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babait tënd,
12 nëse Mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote.
Nderoje atë, Ai është zotëria yt!
Ref. Me gëzim do të rri në praninë e Zotit.
14 E bukur është bija e Mbretit,
e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
15 Në petka laralara ia sjellin Mbretit.
Ref. Me gëzim do të rri në praninë e Zotit.
Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
16 Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e Mbretit!
Ref. Me gëzim do të rri në praninë e Zotit.
Aleluja!
E lumja ti, o Virgjëra Mari, që besove se do të plotësohet çka të që thënë prej Zotit (krh. Lk 1, 45)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 3, 31-35) (fq. 1433)
Kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 31 erdhën nëna e Jezusit dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikënd ta thërrasë. 32 E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: »Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.«
33 Ai u përgjigji: »Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?« 34 dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha: »Ja nëna ime e vëllezërit e mi! 35 Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Duke nderuar përkujtimin e Nënës së Birit tënd, po të lutemi, o Zot, që kjo fli eukaristike, në saje të hirit tënd, të na japë edhe ne dhuratën tënde të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR – II
Kisha me fjalët e Shën Marisë i jep lavdi Hyjit 63. Ky prefacion thuhet në Meshët e Shën Marisë Virgjër.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shpëtimi të të dëshmojmë se je i mrekullueshëm, o Zot, në nderimin e të gjithë shenjtërve;
por sidomos në përkujtimin e shën Marisë
Virgjër madhërojmë bujarinë tënde me këngën e saj të falënderimit.
Përnjëmend bëre vepra të madhërueshme deri në skajin e botës
dhe e përhape në shekujt e shekujve bujarinë e mëshirës sate,
kur shikove me pëlqim mbi përvujtërinë e shërbëtores sate
e nëpër të na dhe Autorin e shëlbimit të njerëzve,
Birin tënd, Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të e adhurojnë madhërinë tënde fuqitë engjëllore që për amshim galdojnë në praninë e fytyrës sate.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë, që, të shoqëruar në galdim, po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Lk 1, 49
Punë të mëdha bëri për mua i gjithëpushtetshmi, i shenjtë është emri i tij.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na ke bërë pjesëtarë të shëlbimit të amshueshëm; bëj, po të lutemi, që ne, që përkujtojmë Nënën e Birit tënd, të marrim pjesë në plotësinë e hirit tënd e të shijojmë vazhdimisht rrjedhimet e shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.