Leximet e ditës

JEZU KRISHTI MBRETI I GJITHËSISË

 

JAVA XXXIV - E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Zb 5, 12; 1, 6

 

I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë dhe lavdinë. Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekujt e shekujve.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti deshe të ripërtërish gjithçka nëpër Birin tënd të dashur, Mbretin e gjithësisë; bëj që mbarë krijesat, të liruara nga robëria e mëkatit, t’i shërbejnë madhërisë sate e të të lëvdojnë pa pushim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 34, 11-12.15-17) (fq. 1185)

 

Ju jeni grigja ime: unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

11 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. 12 Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t'i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ.

15 Unë vetë do t'i mballoj delet e mia, unë vet do t'i mrizoj - thotë Zoti Hyj. 16 Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligështuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t'i ruaj me drejtësi. 17 Kurse juve, o grigja ime, kështu ju thotë Zoti Hyj: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 23 (22), 1-2.2-3.5.6 (fq. 681)

 

Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.

 

1 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.

2 Nëpër fusha të gjelbra ai më jep pushim.

Më prin në ujëra të qeta.

 

Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.

 

3 Shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

 

Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.

 

5 Ti ma shtron tryezën përpara

ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

 

Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.

 

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

 

Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.

 

Leximi i dytë (1 Kor 15, 20-26.28) (fq. 1624)

 

Biri do t'ia nënshtrojë mbretërinë Atit që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 20 Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! 21 Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. 22 Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. 23 Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë - Krishti, pastaj, në Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, 24 pastaj - mbarimi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi.

 25 Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. 26 Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. 28 E kur t'ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit! (Mk 1, 9b.10a)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 25, 31-46) (fq. 1420)

 

Do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm dhe do t'i ndajë njërin prej tjetrit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 31 »E kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t'i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t'i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: 'Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.' 37 Të drejtët atëherë do t'i përgjigjën: 'Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?'

40 Mbreti do të përgjigjet: 'Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.' 41 Pastaj do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: 'Ikni, prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.' 44 Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen: 'Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e nuk t'u gjetëm në nevojë?' 45 E ai do t'u përgjigjet: 'Për të vërtetë po ju them: çkado s'bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.' 46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtit në jetën e pasosur.«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Po ta kushtojmë, o Zot, flinë e pajtimit tonë, e po të lutemi me përvujtëri që Biri yt t’u falë të gjithë popujve dhuratën e bashkimit dhe të paqes. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

Prefacioni: Krishti Mbreti i gjithësisë

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti të Njëlindurin Birin tënd, Jezu Krishtin, Zotin tonë,

e shugurove me vaj gëzimi

Prift të amshueshëm e Mbret të gjithësisë.

Ai, duke kushtuar vetveten fli të pastër e pajtuese

mbi altarin e kryqit,

kreu misterin e shëlbimit të njerëzve;

e, pasi ia nënshtroi pushtetit të vet të gjitha krijesat,

ia paraqiti madhërisë sate të pamasë

një mbretëri të pambarim dhe të gjithëmbarshme:

mbretëri të së vërtetës e jetës,

mbretëri shenjtërie e hiri,

mbretëri drejtësie, dashurie dhe paqeje.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj e kryeengjëj,

me frone e me zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Ps 28, 10-11

 

Zoti mbretëron përgjithmonë; Zoti e bekon popullin e vet me paqe.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me shujtën e pavdekshmërisë, po të lutemi, o Zot, që ne, të cilët mburremi se i zbatojmë me gëzim urdhërimet e Krishtit, Mbretit të gjithësisë, ta kemi fatin të jetojmë përherë me të në mbretërinë qiellore. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.