Leximet e ditës

JAVA E XXXIV GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9

 

Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.

 

Kolekta

 

Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Zb 14, 1-3.4b-5) (fq. 1746)

 

E mbanin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e Krishtit e të Atit të tij.

 

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

 

Unë Gjoni1 pashë: Qengji qëndronte mbi malin Sion e me Të 144.000 që mbartnin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e tij dhe Emrin e Atit të tij.

2 Dëgjova një zë që vinte nga qielli porsi ushtima e ujërave të mëdha dhe si gjëma e bubullimës së madhe. Zëri që dëgjova ishte porsi zëri i harpëtarëve që u bien harpave të veta. 3 Këndonin si një këngë të re para fronit, para katër Gjallorëve dhe para udhëheqësve. Askush s'mund e kuptonte atë këngë përveç atyre 144.000 të shpërblyerve nga toka.

4 Këta e përcjellin Qengjin kudo shkon. Ndër njerëz këta qenë shpërblyer si fryti i parë për Hyjin dhe Qengjin. 5 Në gojën e tyre nuk u gjet rrenë: janë të patëmetë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 24 (23), 1bc-2.3-4ab.5-6 (fq. 682)

 

Ref. Ja breznia që e kërkon fytyrën tënde, o Zot.

 

1 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,

rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

2 Ai vetë e themeloi mbi dete,

dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Ref. Ja breznia që e kërkon fytyrën tënde, o Zot.

 

3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi.

 

Ref. Ja breznia që e kërkon fytyrën tënde, o Zot.

 

5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,

e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

Ref. Ja breznia që e kërkon fytyrën tënde, o Zot.

 

Aleluja!

Rrini zgjuar, rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni. (Mt 24, 42a.44)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 21, 1-4) (fq. 1496)

 

Pa edhe një grua të vejë, skamnore ku qiti dy lepta

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 Jezusi shikonte se si të pasurit po qitnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës.

2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore ku qiti dy lepta 3 dhe tha: »Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë. 4 Sepse të gjithë tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamit të vet gjithçka pati për jetesë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 116, 1-2

 

Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.

 

Ose: Mt 28, 20

 

Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.