Leximet e ditës

JAVA E XXXIV GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9

 

Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.

 

Kolekta

 

Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Zb 20, 1-4.11 - 21, 2) (fq. 1753)

 

Pashë Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli.

 

Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

 

Unë Gjoni, 1 pashë : një engjëll tjetër po zbriste prej qiellit me çelësin e Humnerës dhe me hekura të mëdha në dorë. 2 Ai e kapi Draguan - Gjarprin e vjetër - Djallin, Satanin - dhe e lidhi në hekura për një mijë vjet. 3 E plandosi në Humnerë, e mbylli dhe e vulosi derën mbi të që të mos i ngashënjejë njerëzit derisa të plotësohen një mijë vjetët. Atëherë duhet të zgjidhet për pak kohë.

4 Mandej pashë edhe fronet: Atyre që ndenjën në to u qe dhënë pushteti të gjykojnë. Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin prerë për shkak të dëshmisë së Jezusit dhe për shkak të Fjalës së Hyjit, po ashtu edhe ata që nuk e adhuruan Egërsirën dhe truporen e saj dhe nuk e morën vulën në ballë as në dorë të tyre. Ata u kthyen në jetë dhe bashkë me Krishtin mbretëruan një mijë vjet.

11 Atëherë pashë një fron të madh dhe të bardhë edhe Atë që rri në të. Para tij u zhduk toka e qielli pa lënë farë gjurme. 12 Pashë edhe të vdekurit: të mëdhenj dhe të vegjël, në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra - sipas veprave të tyre. 13 Deti i ktheu të vdekurit që ishin në të, po ashtu edhe Vdekja dhe Nëntoka i kthyen të vdekurit që ishin në to: të gjithë qenë gjykuar sipas veprave të veta. 14 Atëherë edhe Vdekja dhe Nëntoka qenë hedhur në liqenin e zjarrtë. Liqeni i zjarrtë është vdekja e dytë. 15 Kushdo nuk u gjet i shkruar në librin e jetës qe plandosur në liqenin e zjarrtë.

21, 1 Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. 2 Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për të fejuarin e vet.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 84 (83), 3.4.5-6a (fq. 754)

 

Ref. Ja tenda e Hyjit me njerëz.

 

3 Shpirti im shkrihet e meket

për pallatet e Zotit.

Zemra ime e trupi im

i brohorisin Hyjit të gjallë.

 

Ref. Ja tenda e Hyjit me njerëz.

 

4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet

edhe turtulli çerdhen e vet

ku i vë zogjtë e vet:

e unë lteret e tu, o Zoti i ushtrive,

Mbreti im e Hyji im!

 

Ref. Ja tenda e Hyjit me njerëz.

 

5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:

do të të lavdërojnë për amshim.

6 Lum ai që në ty gjen forcën

dhe vendos për shtegtim të shenjtë.

 

Ref. Ja tenda e Hyjit me njerëz.

 

Aleluja!

Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! (Lk 21, 28)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 21, 29-33) (fq. 1497)

 

Kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, Jezusi 29 u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë:

»Vëreni fikun e të gjitha pemët. 30 Kur të lulëzojnë edhe vetë e dini se vera është afër. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër.

32 Për të vërtetë po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni para të ndodhin të gjitha. 33 Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 116, 1-2

 

Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.

 

Ose: Mt 28, 20

 

Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.