Leximet e ditës
JAVA E XXXIV GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9
Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.
Kolekta
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 22, 1-7) (fq. 1755)
Nuk do të ketë natë, sepse Zoti Hyj do të shndrisë.
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull
1 Engjëlli i Zotit ma tregoi mua – Gjonit lumin e ujit të jetës: ishte i pastër porsi kristali dhe buronte nga froni i Hyjit dhe i Qengjit. 2 Në midis të sheshit të qytetit dhe të dy krahëve të lumit ishte pema e jetës që jep dymbëdhjetë herë fryt në vjet: çdo muaj e jep frytin e vet, kurse gjethet e pemës janë barna shërimi për popuj.
3 Mallkim më s'do të ketë. Në të do të jetë froni i Hyjit dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e Hyjit do ta adhurojnë Hyjin 4 dhe do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. 5 Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve. 6 Atëherë më tha: "Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta, sepse Zoti Hyj, frymëzuesi i profetëve, e dërgoi engjëllin e vet që t'ju tregojë shërbëtorëve të vet çka duhet të ndodhë për së shpejti." 7 Dhe ja, po vij për së shpejti! I lumi ai që i mban fjalët e profecisë së këtij libri!"
Fjala e Zotit
Psalmi 95 (94), 1-2.3-5.6-7ab (fq. 768)
Ref. Eja, o Zot, Jezus!
1 Ejani t'i këndojmë Zotit,
t'i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
2 T'i dalim para me falënderje,
t'i këndojmë këngë hareje!
Ref. Eja, o Zot, Jezus!
3 Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti,
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
4 Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës,
të tijat janë edhe majat e maleve,
5 i tiji është deti - ai e krijoi,
duart e tij e formuan tokën.
Ref. Eja, o Zot, Jezus!
6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
në jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.
Ref. Eja, o Zot, Jezus!
Aleluja!
Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment, që të mund të qëndroni para Birit të Njeriut. (Lk 21, 36)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 21, 34-36) (fq. 1497)
Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t'u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 34 »Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, 35 sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë.
36 Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t'u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 116, 1-2
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.
Ose: Mt 28, 20
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.