Leximet e ditës
KOHA E ARDHJES
E DIEL - JAVA E PARË
B
Antifona e Hyrjes Krh. Ps 24, 1-3
Te Ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim. Hyji im, në ty shpresoj, mos lejo të turpërohem! Të mos ngihen në mua armiqtë e mi! Kushdo shpreson në ty nuk do të mbetet i turpëruar.
Nuk thuhet Lavdi
Kolekta
Jepu po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, besimtarëve të tu vullnetin që, me vepra të mira, të dalin para Krishtit tënd që po vjen, kështu që, të vënë në të djathtën e tij, të meritojnë ta fitojnë mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 63, 16b-17.19b; 64, 2-7) (fq. 1046)
Sikur t'i shqyeje qiejt e të zbritje!
Lexim prej Librit të Isaisë profet
16 Ti, o Zot, je Ati ynë! Nga amshimi quhesh Shpëtimtari ynë. 17 Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të tua, pse na e ngurove zemrën që të mos të druajmë? Kthehu për dashuri ndaj shërbëtorëve të tu, për dashuri të fiseve të pronës sate!
19 Ah, sikur ti t'i shqyeje qiejt e të zbritje, para fytyrës sate malet do të dridheshin, 64, 2 kur bëje mrekulli që ne nuk i shpresonim, ti zbrite e para Fytyrës sate malet u dridhen! 3 Qysh se ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, se një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të. 4 U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë.
Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim. 5 Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastri, si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona, të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na tresin si era. 6 S'është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë. 7
Megjithatë, ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua.
Fjala e Zotit
Psalmi 80 (79), 2-3.15-16.18-19 (fq. 750)
Ref. Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto.
2 Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit,
Ti që rri në fron mbi kerubinë shkëlqe !
3 Zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për ta na shpëtuar!
Ref. Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto.
15 Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
16 deli zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
Ref. Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto.
18 Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
19 Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
Ref. Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto.
Leximi i dytë (1 Kor 1, 3-9) (fq. 1608)
Presim zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 3 paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!4 Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 5 sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka - në çdo fjalë e në çdo dije.
6 Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 7 sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
8 Por edhe Ai do t'ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit. 9 Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde dhe na e jep shëlbimin tënd. (Ps 85, 8)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 13, 33-37) (fq. 1450)
Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë.
Lexim prej Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 33 Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast.
34 Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrijë zgjuar.
35 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes - që, 36 nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.
37 Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!«
Fjala e Zotit
Thuhet
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat që i morëm prej bujarisë sate e po t’i kushtojmë dhe pasi Ti na mundëson të kremtojmë këtë mister, bëj të fitojmë shpërblimin e shëlbimit të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I ARDHJES – I
Dy ardhjet e Krishtit
33. Ky prefacion thuhet: në Meshët e kohës nga e Diela e parë e Ardhjes deri më 16 dhjetor; në Meshët e tjera që kremtohen në këtë kohë dhe nuk kanë prefacionin e vet.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, me ardhjen e parë në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore,
e çoi në vend premtimin e vjetër
dhe na hapi rrugën e shpëtimit të amshuar,
që, kur të vijë së dyti me lavdinë e madhërisë së vet,
të mund të marrim të mirat e premtuara,
që tani guxojmë t’i shpresojmë duke i pritur me kujdes.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e Kungimit Ps 84, 13
Zoti do ta japë të mbarën,e toka jonë do ta japë frytin e vet.
Lutja pas kungimit
Na vleftë, po të lutemi, o Zot, pjesëmarrja në këto mistere të shenjta, me të cilat, në këtë jetë të kalueshme tokësore, na mëson t’i duam të mirat qiellore të amshueshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor.