Leximet e ditës

18 tetor

 

SHËN LUKA UNGJILLTAR

 

Festë

 

Antifona e hyrjes   Is 52, 7

 

Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajmin e paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shpëtimin.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Zot, Hyj, Ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë sate, bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë popujt ta shohin shpëtimin tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë  (2 Tim 4, 10-17) (fq. 1682)

 

Me mua është vetëm Luka!

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

 

Fort i dashur, 10 Dema, për dashuri të këtij shekulli, më la vetëm. Ai shkoi në Selanik, Kreshenci në Galaci, Titi në Dalmaci. 11 Me mua është vetëm Luka. Markun merre dhe bjere me vete sepse e kam të dobishëm për shërbesë. 12 Tihikun e dërgova për Efes. 13 Kur të vish, ma bjer tabaren që e lashë te Karpi në Troadë. Po ashtu edhe librat, sidomos pergamenat.

14 Aleksandri farkëtar më bëri shumë të këqija: Zoti do t’ia kthejë sipas veprave të tija. 15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i predikimeve tona. 16 Në mbrojtjen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua: të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq! 17 Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve.

 

            Fjala e Zotit

 

            Psalmi 145 (144) (fq. 825)

 

Ref.     MIQTË E TU, O ZOT, SHPALLIN MBRETËRINË TËNDE

 

10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

 

Ref.     MIQTË E TU, O ZOT, SHPALLIN MBRETËRINË TËNDE

 

12 Për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde

dhe lavdinë e madhërisë së Mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është Mbretëri e amshueshme,

pushteti yt prej breznie në brezni.

 

Ref.     MIQTË E TU, O ZOT, SHPALLIN MBRETËRINË TËNDE

 

17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

 

Ref.     MIQTË E TU, O ZOT, SHPALLIN MBRETËRINË TËNDE

 

            Aleluja!

Zoti më ka dërguar që skamnorëve t’ua shpall Ungjillin. (Krh. Lk 7, 22)

            Aleluja!

 

Ungjilli           (Lk 10, 1-9) (fq. 1477)

 

            Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak!

 

            Leximi i Ungjillit të shenjt sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. 2 U thoshte: »Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandale e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: 'Paqja me këtë shtëpi!' 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s'është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t'u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t'ju pranojnë, hani çka t'ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: 'U afrua Mbretëria e Hyjit!'

 

            Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që me anën e këtyre dhuratave qiellore të shërbejmë me lirinë e shpirtit  dhe flija që po kushtojmë në festën e shën Lukës na vleftë për shërimin e shpirtit dhe për lumturinë e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – II

Apostujt themeli dhe dëshmia e Kishës

 

65. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve dhe të ungjilltarëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ti e ndërtove Kishën tënde mbi themelin e apostujve,

që ajo të jetë shenjë e përhershme e shenjtërisë sate në botë

dhe të gjithë njerëzve t’u japë dëshmitë qiellore.

Dhe prandaj, tani dhe në amshim

bashkë me ushtrinë engjëllore

po të këndojmë me përkushtim

duke thënë me zë të lartë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit    Krh. Lk 10, 1. 9

 

Zotëria i dërgoi nxënësit t’u lajmërojnë qyteteve: Ju është afruar Mbretëria e Hyjit.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që kungimi i shenjtë që morëm prej altarit tënd të na shenjtërojë dhe të na forcojë në fenë e Ungjillit të shpallur nga shën Luka. Nëpër Krishtin Zotin tonë.