Lum skamnorët në shpirt!
8 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Lum skamnorët në shpirt!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- Mt 5, 1-12
Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë: “Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën! Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen!
Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin. Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!
Të dashur dëgjues, sot do të ndalemi në një nga faqet më të thella të Ungjillit. Ju kujtoj se Mali, në Bibël, është vendi i takimit me Hyjin. Moisiu u ngjit në Sinai për të marrë Ligjin; Jezusi ngjitet në mal për të dhënë jo thjesht një ligj të ri, por zemrën e re. Në Sinai u shkruan urdhërimet mbi gur; në malin e Lumturive, Hyji dëshiron t’i shkruajë mbi zemrën e njeriut. Jezusi ulet si mësuesi i vërtetë. Dhe nxënësit afrohen. Nuk mund të dëgjohen Lumturitë nga larg. Duhet afërsi me Jezusin. Vetëm ai që afrohet te zemra e Krishtit fillon ta kuptojë logjikën e Lumturive. Lumturitë janë portreti i Jezusit. Jezusi është i varfër në shpirt; qan mbi Jerusalemin; ka uri për drejtësinë e Atit. Jezusi është i butë; është i mëshirshëm; i pastër në zemër; pajtuesi midis Hyjit dhe njeriut; dhe i përndjekur për drejtësi. Prandaj, të jetosh Lumturitë do të thotë të lejosh që jeta e Krishtit të marrë formë në ne.
Lum skamnorët në shpirt. Kjo është porta hyrëse e të gjitha Lumturive. Varfëria në shpirt nuk është mjerim… Varfëria në shpirt është gjendja e atij që mbështetet krejtësisht në Hyjin. Është zemra që e di: “Pa Ty, Zot, nuk mundem asgjë.” Kjo lumturi mbahet edhe si “Dera e Mbretërisë”.
Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! Jo çdo lot është i shenjtë. Ka lot egoizmi, krenarie, zhgënjimi. Por Jezusi flet për lotët e pendimit. Lotët për mëkatin. Lotët për botën që largohet nga Hyji. Lotët e dashurisë. Sigurisht, këtu përfshihen edhe ata që qajnë nga dhimbja, padrejtësia, humbja dhe kryqet e përditshme. Po, lotët e njeriut të drejtë prekin zemrën e Hyjit dhe ngushëllimi që u premtohet është Vetë Zoti. Prani që mbush zemrën me shpresë, edhe kur jemi në mes të dhimbjes.
“Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën!” Butësia nuk është dobësi. Jezusi ishte i butë, por askush nuk ishte më i lirë se ai. Butësia është forca e dashurisë që nuk përdor dhunë. Jezusi hyn në Jerusalem mbi një gomar, jo mbi kalë lufte. Ai fiton jo duke vrarë, por duke falur. Sa shumë dhunë ka në fjalët tona, në debatet tona, në familjet tona. Ka njerëz që nuk godasin me duar, por plagosin me gjuhë. Butësia është fryt i Shpirtit Shenjt. Nuk lind nga karakteri i qetë, por nga zemra e pushtuar nga Krishti. Shën Françesku i Sales thoshte: “Më shumë miza kapen me një pikë mjaltë sesa me një fuçi uthull.” Njerëzit e butë janë ata që sjellin paqe rreth vetes. Ata nuk kanë nevojë të fitojnë çdo debat. Ata e lënë Hyjin të jetë mbrojtësi i tyre. Dhe atyre Jezusi u premton: “Do ta trashëgojnë tokën.”
“Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi sepse do të ngihen!” Këtu Jezusi flet për një dëshirë të zjarrtë për shenjtëri, për vullnetin e Hyjit, për të vërtetën. Ne të vërtetë, etja për drejtësi është etja e shpirtit për të qenë një me Hyjin; i cili pa të, zemra nuk gjen qetësi.
Këtyre Jezusi ju premton se do të ngihen me njohjen e Hyjit.
Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! Mëshira është dashuri që përkulet mbi mjerimin e tjetrit për ta ngritur atë. Në Shkrimin Shenjt, Hyji zbulohet si Ati i mëshirës. Prandaj, të jesh i mëshirshëm do të thotë të jetosh sipas zemrës së Atit, i cili nuk lodhet kurrë duke falur. Në Kryqin e Jezusit janë përqafuar drejtësia dhe mëshira.
“Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin.” Shën Augustini thotë: “Zemra e pastër është ajo që nuk ka asgjë më të dashur se Hyjin.” Po, zemra e pastruar nga dashuria tashmë fillon ta shohë Hyjin me sytë e fesë.
“Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit.” Jezusi nuk thotë “lum ata që shmangin konfliktet”, por “lum pajtuesit”. Pajtuesi është ai që hyn në plagët e ndarjeve për të sjellë paqe. Jezusi është Pajtuesi i madh. Në Kryq, Jezusi pajtoi njeriun me Hyjin.
“Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon...” Kjo është Lumturia më e vështirë për t’u pranuar nga bota. Bota thotë: “Nëse vuan, do të thotë se Hyji të ka braktisur.” Jezusi thotë: “Nëse vuan për hir të drejtësisë, je i lum.” Pse? Sepse jeta jonë bashkohet me jetën e Krishtit.
“Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!” Këtu Jezusi i drejtohet drejtpërdrejt dishepujve, sepse salvimi për shkak të Jezusit është shenjë e një marrëdhënieje të gjallë me Krishtin. Kush bashkohet me vuajtjen e Krishtit, do të bashkohet edhe me fitoren e Tij. Kryqi është porta e lavdisë.
Në fund Jezusi na një urdhër të pazakontë. “Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!”Jezusi nuk thotë thjesht “duroni”, por “gëzohuni e galdoni”. Ky është kulmi i Lumturive. Ky është një gëzim që nuk buron nga rrethanat, por nga bashkimi me vullnetin e Hyjit.
O Jezus, Mësues i Lumturive, shkruaji fjalët e tua në zemrën tonë. Na jep një zemër të varfër, të pastër, të butë dhe të mëshirshme. Kur të vijë kryqi, mos lejo të largohemi prej Teje, por na mbaj pranë zemrës sate. Bëj që edhe në lotët tanë të zbulojmë praninë tënde dhe, duke jetuar sipas Ungjillit, të arrijmë një ditë ta shohim fytyrën tënde në amshim. Amen.