Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni!

26 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT Mt 7,7-12

 

“Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet!  Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet. 

Dhe, a gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur?  Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër?  Po ja, pra, nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”

 

Të dashur dëgjues, në Ungjillin e sotëm, Jezusi na jep një nga premtimet më të bukura dhe më ngushëlluese të gjithë Shkrimit të Shenjtë: “Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet. Sepse kush lyp, i jepet; kush kërkon, gjen; e kush troket, i çelet”. Këto fjalë duken të thjeshta, por janë jashtëzakonisht të thella. Ato na zbulojnë zemrën e Atit tonë qiellor dhe mënyrën se si duhet të jetë marrëdhënia jonë me Të.

Të lypësh do të thotë të pranosh se ke nevojë për Zotin. Ky është edhe një akt përvujtërie. Jezusi na fton të mos kemi frikë të paraqitemi para Atit me varfërinë tonë: me plagët, frikat, dështimet, dëshirat dhe nevojat tona.

Të kërkosh do të thotë më shumë se sa të lutesh për diçka. Të kërkosh do të thotë të orientosh jetën drejt Zotit, të kërkosh praninë e Zotit, të kërkosh vullnetin e Tij, të kërkosh të vërtetën, dritën, dhe ta kërkosh Zotin si kuptimin e jetës sate.

Në fakt, fillimisht ne kërkojmë prej Zotit: ndihmë, shërim, zgjidhje të problemeve, siguri. Por, duke kërkuar, zbulojmë se ajo që na mungon më shumë nuk është diçka, por është Dikush. Duke kërkuar shpirti mbushet me dritë hyjnore, ku zemra mëson të bëj dallimin mes asaj që dëshiron dhe asaj që i duhet vërtet.

Të trokasësh është forma më e pjekur e lutjes. Ajo nënkupton kohë, durim, qëndrueshmëri dhe besim. Kjo është lutja që vazhdon edhe kur nuk ka përgjigje të menjëhershme, edhe kur duket sikur po trakas dhe dera nuk hapet, apo duket se Zoti po hesht. Me të vërtetë, disa herë Zoti e vonon përgjigjen, jo sepse nuk na dëgjon, por sepse po përgatit zemrën tonë për një dhuratë më të madhe se ajo që kemi kërkuar. Disa herë tjera do të na jepet: forca për të duruar, paqja e brendshme, ose një dritë e re për të ecur përpara edhe nëse jemi në mes të vështirësive. Me të vërtetë, edhe kur dera që Zoti hap nuk është ajo që ne pritem, është e sigurte se është dera që do të na qoj më afër Tij.

Të dashur dëgjues, Jezusi nuk thotë: Ndoshta...”, por do t’ju jepet, do të gjeni, e do t’ju çelet”. Ky është premtimi i Atit tonë të dashur. Sigurisht, Ati Ynë nuk do të na japë gjithmonë atë që duam, por gjithmonë do të na japë atë që është më e mira për jetën tonë. Në fund, ajo që “na jepet”, ajo që “gjejmë”, ajo derë që “hapet”, është vetë Zoti. Është Prania e Tij, e mira ma e madhe në tokë dhe në qiell. Atëherë të frymëzuar nga fjalët e Jezusit le t’i afrohemi Hyjit Atë me besim të plotë, sepse Fjala e Jezusit na jep garanci se kush lyp me zemër të përvujtë, kush kërkon me dëshirë të pastër dhe kush troket me besim të qëndrueshëm, nuk mbetet kurrë pa përgjigje.

Në ungjillin e sotëm Jezusi na thotë edhe: Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ky rresht mbahet si Rregulli i Artë.  Jezusi nuk thotë: mos u bëj keq të tjerëve, por shkon më thellë: bëj për tjerët atë që kishe dashtë ta bëjnë për ty. Të dashur dëgjues kur e pyesim veten: Çfarë dua që tjetri të bëj për mua? Ne hyjmë thellë brenda vetës, dhe shkojmë deri tek plagët tona, aty takojmë: dëshirën për të qenë të kuptuar, dëshirën që të na falin, dëshirën që të na pranojnë pa kushte, dhe dëshirën që të tjerët të na duan ashtu si jemi. Jezusi na thotë: prej asaj që dëshiron për vetë, mëso si të veprosh për të tjerët. Për këtë arsye në marrëdhënie me tjerët nuk është e drejtë të pyesim: çfarë më leverdis mua? Por si do të doja të më trajtojnë mua?

Mbaje mend i dashur dëgjues, këtë fjalë, Jezusi na mëson sekretin e shenjtërisë: Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Kështu nuk do ta mashtrojmë vetën se e duam Zotin atëherë kur nuk kemi dashuri, duresë dhe mëshirë ndaj tjetrit. Na bën mirë ta kujtojmë shprehjen e Shën Terezes së Avilës që thoshte: nëse një njeri lutet shumë, por nuk i trajton të tjerët me mirësi dhe respekt, lutja e tij nuk ka rrënjë të vërtetë në Zotin.

O Zot, na mëso të kërkojmë me besim, të trokasim me shpresë dhe të mos lodhemi kurrë duke të kërkuar Ty. Hape zemrën tonë që të dimë t’u bëjmë të tjerëve atë që dëshirojmë për veten tonë: dashuri, mirësi dhe drejtësi. Amen.