Madhështia matet me besnikërinë ndaj vullnetit të Zotit
11 MARS 2026
UNGJILLI I DITËS
“Madhështia matet me besnikërinë ndaj vullnetit të Zotit!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - Mt 5, 17-19.
“Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Të dashur dëgjues, sot Ungjilli na fton të ndalemi në një temë: Ligji dhe përkryerja e tij në dritën e mësimit të Jezusit. Shpesh, kur dëgjojmë fjalën “Ligj”, mendja jonë shkon tek ndalesat, kufizimet, detyrimet që rëndojnë mbi ndërgjegjen tonë. Por Ungjilli na zbulon se Ligji nuk është barrë, por dhuratë; nuk është pengesë, por udhërrëfyes; nuk është thjesht normë, por shprehje e dashurisë së Zotit për njeriun. Që në Besëlidhjen e Vjetër, Ligji i dhënë përmes Moisiut ishte një shenjë e kujdesit të Zotit për popullin e Tij. Ai ishte si një dritë që ndriçon rrugën për të mos u humbur në errësirën e padrejtësisë dhe të mëkatit. Pra nuk kemi të bëjmë me një sistem të ftohtë rregullash, por me një projekt dashurie që synon shpëtimin tonë. Pra thelbi i çdo urdhërimi është dashuria që çon në shpëtim. Nëse heqim dashurinë, Ligji kthehet në formalizëm. Nëse e jetojmë me dashuri, ai bëhet rrugë shenjtërimi.
Përkryerja e Ligjit d.m.th. se nuk janë vetëm norma të jashtme që duhen respektuar formalisht, por ato duhet të na çojnë drejt një marrëdhënieje më të thellë me Zotin dhe me të afërmin. Në jetën e përditshme kjo bëhet konkrete sidomos kur përballemi me vështirësi: për shembull: të falësh dikë që të ka lënduar ose të ndihmosh një person që ka nevojë edhe kur kjo kërkon sakrificë. Pikërisht në këto zgjedhje zbulohet përkryerja e Ligjit. Nuk mjafton të shmangim të keqen; jemi të thirrur të bëjmë të mirën.
Jezusi thotë se: Asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit. Shën Toma e interpreton këtë si një thirrje për seriozitet dhe vëmendje në jetën shpirtërore. Çdo veprim i vogël ka rëndësi për ecjen tonë shpirtërore. Një fjalë e butë në familje, një gjest pajtimi, një akt ndershmërie në punë – këto janë “presjet” e jetës sonë shpirtërore. Ato mund të duken të vogla, por kanë peshë të madhe në ndërtimin e karakterit tonë.
Gjithashtu edhe shkelja e urdhrave krijon pasoja shpirtërore për individin dhe për komunitetin. Çdo zgjedhje morale ka ndikim shoqëror. Kur një prind jeton me ndershmëri, ai edukon pa fjalë. Kur një mësues promovon drejtësinë, ai formon ndërgjegje të reja. Por kur dikush relativizon të vërtetën, ai krijon konfuzion dhe plagë shpirtërore. Etërit e Kishës e kanë theksuar gjithmonë këtë dimension bashkësior të mëkatit dhe të virtytit. E mira përhapet, por edhe e keqja ndikon.
Të jesh i madh në Mbretërinë e qiellit nuk do të thotë të kesh pushtet apo famë. Madhështia matet me besnikërinë ndaj vullnetit të Zotit dhe me gatishmërinë për t’i udhëhequr të tjerët drejt së mirës. Familja është vendi i parë ku Ligji i Zotit merr jetë konkrete: në respektin mes bashkëshortëve, në sakrificën plot dashuri të prindërve dhe në bindjen e vetëdijshme të fëmijëve. Në shoqëri, ai përkryhet përmes mbrojtjes së të dobëtëve, drejtësisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor.
O Zot, na jep forcë të ecim në udhën tënde me besnikëri. Shkruaje Ligjin tënd në zemrat tona. Bëj që dashuria jote të udhëheqë çdo mendim, fjalë dhe veprim tonin, që jeta jonë të jetë dëshmi e gjallë e pranisë sate në botë. Amen.