Maria i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.
13 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Maria i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES - Lk 2, 41-51
Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij. Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjegjet e tij. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ai iu përgjigj: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.
Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.
Maria dhe Jozefi shkojnë çdo vit në Jerusalem. Ata janë njerëz besnikë ndaj traditës së popullit të Hyjit. Jezusi rritet brenda kësaj tradite, por në moshën dymbëdhjetëvjeçare ndodh diçka e re: Ai nuk mjaftohet vetëm të marrë pjesë në festë; Ai qëndron në Tempull. Zemra e Tij është tërhequr plotësisht nga Ati.
Ungjilli thotë: Jezusi u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij.” Duke u ndalur te kjo pikë, Benedikti XVI thotë: “Kjo nuk është një shenjë mosbindjeje ndaj prindërve. Përkundrazi, është zbulimi i një bindjeje më të thellë.” Edhe pse është ende fëmijë, Ai e di se jeta e Tij i përket para së gjithash Hyjit. Këtu Jezusi fillon të tregojë se misioni i Tij buron nga Ati.
Ungjilltari vazhdon të tregoj se Maria dhe Jozefi: “Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.” Lidhur me këtë, Shën Ambrozi thotë: Maria dhe Jozefi nuk e humbën Jezusin nga pakujdesia, por ndërsa ishin në përmbushjen e detyrave të tyre. Megjithatë, ata e kërkojnë menjëherë sapo kuptojnë mungesën e Tij. Edhe në jetën e krishterë mund të ndodhë që, mes lutjeve, kremtimeve dhe veprave të mira, gati si pa e vënë re, zjarri i dashurisë sonë për Krishtin fillojë të zbehet. Nuk kemi bërë ndonjë mëkat të madh; thjesht jemi shpërqendruar. Detyrat, puna, shqetësimet dhe ritmi i jetës kanë zënë vendin që i takon Zotit. Pra, ndërsa përpiqemi të veprojmë gjithnjë e më shumë për Hyjin, e gjejmë veten duke jetuar gjithnjë e më pak me Hyjin.
Maria dhe Jozefi nuk e gjejnë Jezusin duke vazhduar rrugën përpara. Na thotë Ungjilltari se ata u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. Diçka e ngjashme mund të ndodh edhe në jetën tonë shpirtërore. Përparimi shpirtëror nuk arrihet gjithmonë duke ecur përpara; ndonjëherë përparimi fillon me një kthim. Kjo do të thotë se, kur e humbasim zjarrin e parë të fesë, paqen e brendshme ose afërsinë me Zotin, shpesh duhet të kthehemi te vendi ku e kemi lënë pas dore dashurinë tonë për Të: te lutja, te Fjala e Hyjit, te pendesa dhe te adhurimi. Kjo është rruga për ta gjetur përsëri Krishtin.
Maria dhe Jozefi e kërkojnë Jezusin me këmbëngulje. Ata nuk ndalen pas përpjekjes së parë. Po, dashuria e vërtetë nuk dorëzohet përballë heshtjes, errësirës apo vonesës; ajo vazhdon të kërkojë derisa ta gjejë të Dashurin e zemrës së saj.
Maria dhe Jozefi e gjetën Jezusin: Pas tri ditësh”, në Tempull, mes dijetarësh, duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Këto “tri ditë” kanë një jehonë profetike: ato paralajmërojnë misterin e Pashkëve: humbjen dhe gjetjen, vdekjen dhe ringjalljen. Edhe në jetën tonë shpirtërore ka momente kur na duket sikur e kemi humbur Jezusin. Por kush vazhdon ta kërkojë me dashuri, e gjen të pranishëm në “tempullin” e zemrës së vet. E takojmë gjithashtu edhe në Eukaristi, në Fjalën e Hyjit dhe në lutje.
Maria dhe Jozefi kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ungjilltari nuk e fsheh dhimbjen e tyre. Kjo na zbulon se Fjala e Hyjit është bërë vërtet njeri dhe ka hyrë në zemrën e jetës familjare, duke marrë mbi vete gëzimet, mundimet dhe dhimbjet që e shoqërojnë atë.
Jezusi i përgjigjet: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Kjo përgjigje shënon një nga zbulesat e para të vetëdijes së Tij hyjnore dhe të misionit të Tij unik. Në këtë çast, Jezusi nuk po largohet nga Maria dhe Jozefi, por po i udhëheq drejt një kuptimi më të thellë të misterit të Tij: se Ai është Biri që i përket Atit dhe e gjithë jeta e Tij është e orientuar drejt përmbushjes së vullnetit hyjnor. Në të vërtetë, këtu qëndron thirrja e çdo shpirti: të mos jetojë për veten, por për “punët e Atit”, aty ku njeriu gjen kuptimin e jetës dhe paqen e vërtetë.
Përfundon Ungjilli i sotëm duke thënë: “Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte.” Këtu kemi paradoksin e madh: Ai që është Fjala e përjetshme dhe i bindet krijesave të veta. Shën Ambrozi e sheh kthimin e Jezusit në Nazaret si shenjtërim të jetës së përditshme: Biri i Hyjit zgjedh jetën e thjeshtë familjare, duke e bërë bindjen dhe heshtjen vend ku zbulohet vullneti i Atit.
O Jezus, Bir i Atit Qiellor, na jep hirin të të kërkojmë gjithmonë me zemër të zjarrtë dhe të jetojmë çdo ditë për vullnetin e Atit. Amen.