Martirët e parë romakë

 

Shenjti i ditës: 30 Qershor – Martirët e parë romakë, martirë në Romë në vitin 64

 

Gjatë perandorisë së Neronit, në Romë, përkrah bashkësisë hebraike që lulëzonte dhe që ishte e respektuar (Popea gruaja e Neronit, ishte hebreje), jetonte bashkësia e krishterë, e vogël dhe paqësore e udhëhequr nga princi i apostujve, Pjetri. Përse Neroni i persekutoi me shumë egërsi të krishterët? Kornel Taciti, historian romak na e jep shpjegimin: «Meqenëse qarkullonin zëra se Romës i ishte vënë zjarri me dashje, Neroni  i paraqiti si fajtor disa njerëz që pasi i ndëshkonin me dënime shumë të rënda , këmbëngulnin në kundërstimin e tyre, dhe vegjëlia e qytetit i quante të krishterë». Cilat ishin fajet e tyre e dimë mirë: mblidheshin natën e së shtunës për të kremtuar eukaristinë, në të cilën flitet për Trupin e Gjakun e Krishtit të dhënë si ushqim besimtarëve.

Martirologu romak thotë: «Në Romë kremtohet lindja e shumë martirëve shenjtër të cilët gjatë perandorisë së Neronit u paditën pa të drejtë se ia vunë zjarrin qytetit dhe me urdhër të tij u vranë në mënyra të ndryshme mizore: disa u mbuluan me lëkura kafshësh të egra dhe iu hodhën qenëve që t’i bënin copash, të tjerë u kryqëzuan dhe në perëndim të ditës u përdorën si pishtarë për të ndriçuar natën. Të gjithë ishin nxënësit e apostujve dhe qenë martirët e parë që Kisha e shenjtë romake ia dërgoi Zotit të tyre para vdekjes së apostujve». Egërsia me të cilën Neroni i qëlloi të krishterët e pafajshëm (zjarri ishte vënë me urdhër të tij me qëllim për të rindërtuar Romën sipas një projekti të tij të madh) nuk gjen sigurisht justifikimin e interesit të lartë të perandorisë. Ata besimtarë paqësor në Krishtin nuk përbënin rrezik. Egërsia e përdorur kundrejt tyre qe e tillë sa që zgjoi një ndjenjë tmerri dhe mëshire në vetë spektatorët e cirkut. «Atëherë u shfaq një ndenjë mëshire», shkruan gjithnjë Taciti, «megjithëse bëhej fjalë për njerëz që meritonin ndëshkimet më shembullore, sepse shihej se ishin eliminuar jo për të mirën publike por për të kënaqur mizorinë e një individi». Perndjekja zgjati tre vite, fillimi pati më të shquarin e martirëve shën Pjetrin: përfundimi kokëprerjen e shën Palit.