Mbrëmësorja

kreshmët – e mërkura përhime

 

Mbrëmësorja

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Sa e mrekullueshme është dija jote për mua, o Zot.

 

Psalmi 139 /138/ I (1-12)

 

   Zoti sheh gjithçka

 

   Kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? (Rom 11, 34).

 

O Zot, ti më shqyrton e më njeh, *

   ti di kur rri e kur ngrihem,

prej së largu i njeh mendimet e mia. *

   Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,

 

ti i di të gjitha udhët e mia. †

   Pa më ardhur ende fjala në majë të gjuhës, *

   dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha!

 

Përpara e pas ti, o Zot, më rrethon, *

   ti e ke vënë mbi mua dorën tënde.

E mrekullueshme është dija jote për mua, *

   tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij.

 

Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd, *

   ku të iki larg prej pranisë sate?

Nëse ngjitem në qiell, ti atje je, *

   nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je.

 

Po t’i marr krahët e agimit *

   e të shkoj të banoj në skajin e detit,

edhe atje dora jote do të më përcjellë *

   e do të më mbajë e djathta jote.

 

Në thënça: »Le të më mbulojë së paku errësira *

   edhe drita natë le të bëhet mbi mua!«,

 

por as terri s’është aspak terr për ty †

   edhe nata është si dritë e ndritshme *

   - për ty errësira është porsi drita!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sa e mrekullueshme është dija jote për mua, o Zot.

 

Ant. 2 Ti më njeh në thellësi të zemrës, o Zot, dhe i jep çdonjërit sipas veprave të tija.

 

Psalmi 139 /138/

 

   II (13-18. 23-24)

 

   O Zot, ti më shqyrton dhe më njeh

 

   Hyji nuk është larg asnjërit prej nesh... në Të jetojmë, lëvizim e jemi (Vap 17, 27. 28).

 

Ti je ai që m’i krijove veshkat, *

   ti më ke endur në kraharorin e nënës!

 

Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht, †

   të mrekullueshme janë veprat e tua, *

   po, shpirti im mirë e di!

 

Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur †

   kur unë po trajtohesha në fshehtësi *

   i endur në thellësinë e tokës.

 

Ende të patrajtuar më panë sytë e tu, †

   në librin tënd ishin të shkruara të gjitha ditët: *

   ishin të njehura megjithëse asnjë s’ishte ende prej tyre.

 

Tepër të çmueshme janë për mua, e Hyj, mendimet e tua, *

   e panumërueshme është shuma e tyre!

Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra! *

   Po t’iu dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti!

 

Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time, *

   më sprovo e njihi shtigjet e mia

e shiko në mos ka në mua udhë kotësie *

   dhe më kthe në udhën e amshueshme.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti më njeh në thellësi të zemrës, o Zot, dhe i jep çdonjërit sipas veprave të tija.

 

Ant. 3 Nëpër Krishtin gjithësia u krijua dhe çdo gjë qëndron në të.

 

Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Nëpër Krishtin gjithësia u krijua

   dhe çdo gjë qëndron në të.

 

   Leximi i shkurtër Fil 2, 12b-15

 

   Punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj. Sepse Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju që të doni e të veproni. Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Lum ai që të kërkon me gjithë zemër

   * dhe ecën në ligjet e tua.

   Lum ai që të kërkon me gjithë zemër dhe ecën në ligjet e tua.

   D Është besnik ndaj mësimeve të tua

   dhe ecën në ligjet e tua.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Lum ai që të kërkon me gjithë zemër dhe ecën në ligjet e tua.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çka bën e djathta.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çka bën e djathta.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

   Nder e lavdi Zotit i cili bëri besëlidhje të re e të amshuar me popullin e vet nëpërmjet Gjakut të Jezu Krishtit dhe e përsërit në gostinë eukaristike. T'ia drejtojmë lutjen tonë me fjalët:

 

   Bekoje, o Zot, popullin tënd.

 

Drejtoji, o Zot, me vullnetin tënd, popujt dhe pushtetmbajtësit

që të veprojnë me sinqeritet për dobinë e të gjithë njerëzve.

Zmadhoje përshpirtërinë e atyre që mohuan çdo send dhe shkuan pas Krishtit

që të mund të japin dëshmi të vërtetë dhe shembull shenjtërie.

Ti ke krijuar të gjithë njerëzit në përngjasimin tënd

bëj që t'i shmangen pabarazisë së padrejtë.

Të gjithë ata që bredhin, afroi pranë vetes, dhuroju miqësinë dhe të vërtetën tënde

dhe na mëso që edhe ne t'iu japim përkrahje.

Bëj që të vdekurit të hyjnë në lumturinë tënde

dhe të të lavdërojnë përgjithmonë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, ta fillojmë me agjërimet e shenjta udhën e kthimit të vërtetë, kështu që, me ndihmën e përkorjes kreshmore, të dalim ngadhënjyes në luftim kundër djallit, shpirtit të së keqes. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.